Lajme Shqip Friday, 20 January 2012 16:30

Bruksel-Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën Ulrike Lunaçek përshëndeti fillimin e dialogut për heqjen e vizave për Kosovën. Ajo pohon se izolimi i kosovarëve do të ishte katastrofë.

Ulrike Lunaçek, zëdhënëse për politikë të jashtme e fraksionit të të gjelbërve dhe raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, deklaron se “ardhja e Komisares së BE-së Malmström në Prishtinë dhe hapja e dialogut me Kosovën për heqjen e vizave, sjell një hov të ri në procesin e afrimit me BE-në të të gjitha vendeve te Ballkanit Perëndimor.

“Fillimi i dialogut për heqjen e vizave me Kosovën është shenjë e stabilizimit dhe normalizimit të rajonit. Përveç kësaj futet në proces përfundimi i politikës së përjashtimit kundrejt Kosovës, sepse të gjithë qytetarët e tjerë të Ballkanit perëndimor mund të lëvizin të lirë në BE, prej fundit të vitit 2010.”-tha eurodeputetja.

Sipas aaj pas vizitës së Malmström-it në Kosovë, Komisioni duhet të prezantojë një Road- Map për liberalizimin e vizave.

Ndërsa qeveria e Prishtinës duhet të zbatojë me përkushtimin e nevojshëm, detyrat në rrugën drejt heqjes së detyrimeve të vizave, duke përfshirë edhe shoqërinë civile të vendit.

“Brukselit dhe Prishtinës i kërkohet që të nxjerrin nga izolimi i pamerituar qytetarët kosovarë. Izolimi është për popullsinë kosovare, dy të tretat e të cilës janë nën 25 vjeçarë, një katastrofë. Ai përbën një problem edhe për besueshmërinë e BE-së. Liria e lëvizjes, një nga shtyllat themelore të mendimit evropian, nuk duhet tu mohohet ende njerëzve në Kosovë”-përfundoi Lunaçek.