Tiranë – Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, ka tërhequr sot vëmendjen e institucioneve shtetërore për të përballuar sa më mirë situatën që krijohet nga fluksi i qytetarëve në kufi për festat e fundvitit.
Situata e krijuar pas liberalizimit të vizave, që i mundëson qytetarëve shqiptarë të shkojnë në hapësirën Shengen, si qytetarë të barabartë europianë, krijon probleme, në vlerësimin tim, të pajustifikuara, që kanë të bëjnë me shërbimet që u ofrohen qytetarëve shqiptarë që vijnë në atdhe”, tha Rama.
Sipas tij, “radhët e gjata me automjete dhe qytetarë në pikat e kalimit kufitar, aq më tepër në kushte temperature të ulët dhe motit që sa vjen e bëhet më i ftohtë, duhet të jenë në vëmendjen e institucioneve shtetërore, që kanë në varësi shërbimet që u ofrohen qytetarëve tanë në pikat e kalimit kufitar”.
Në mënyrë të veçantë Rama ka tërhequr vëmendjen për shërbimet e Policisë së Shtetit dhe veçmas kësaj strukture, për shërbimet e policisë kufitare dhe të qarkullimit rrugor, si edhe për shërbimin doganor dhe më tej akoma pasi qytetarët të kenë ardhur në Shqipëri, në mënyrë të veçantë për zyrat e gjendjes civile, “që të kenë në vëmendje qytetarët shqiptarë që vijnë nga jashtë vendit dhe të ofrojnë për ta lehtësirat dhe oportunitetet e nevojshme, për t’i kryer shërbimet në një kohë sa më shpejtë dhe në standarde qytetare dhe me kohë maksimale”.
Rama shtoi se “fluksi i madh i prurjeve nuk duhet të shërbejë për të justifikuar paaftësinë apo mosveprimin, ose ndonjë rast të shfaqjes korruptive, në komunikimin apo në raportet e punonjësve në shërbim me qytetarët shqiptarë që vijnë në atdhe”.
Friday, 23 December 2011 15:40