Tiranë- Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), nëpërmjet grupit të saj parlamentar, depozitoi të hënën në Kuvend kërkesën për krijimin e komisionit parlamentar për refomën zgjedhore.

Në një deklaratë për mediat, deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, njëkohësisht nënkryetar i Kuvendit, tha se “nuk ka më kohë për të humbur, ndaj morëm këtë nismë zyrtare për të bërë fakt vullnetin tonë për të reformuar sistemin e zgjedhjeve në Shqipëri”.
Përmes kësaj nisme “LSI fton të gjitha partitë parlamentare, por jo vetëm, të lënë mënjanë retorikat mediatike dhe t’i bashkohen kësaj nisme, e cila synon të kthejë dialogun në institucion dhe për çështje konkrete. Nëse e duam integrimin ky është momenti për t’u shprehur”, deklaroi Tavo.
Sipas tij, LSI ka propozuar krijimin e një komisioni parlamentar, i cili kërkohet të jetë gjithpërfshirës, pa veto dhe pa kushte.
“Kemi propozuar një komision që të respektojë këto standarde: rëndësinë parësore të reformës zgjedhore, pjesëmarrjen e gjerë, jo vetëm politike; vendosjen e axhendës së integrimit mbi atë të politikës së ditës; vendosjen e debatit politik në institucionet vendimmarrëse”,tha Tavo.
Monday, 10 October 2011 13:29