Tiranë- Vetëm një ditë para 1 vjetorit të protestave të Opozitës të 21 janarit, ku humbën jetën 4 protestues, Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, se është regjisori politik i demonstratës së 21 janarit të vitit të kaluar.
Në një konferencë për shtyp, Sekretari për Çështjet Ligjore,Ylli Manjani , theksoi se “Rama, pasi mashtroi shqiptarët me video montazhin, i konfrontoi ata me forcat e sigurisë në 21 janar”.
“Zotërinjtë “limon të shtrydhur” që kapën veten në flagrancë, duke ndarë jo vetëm ca para të fëlliqura, por interesa korruptive në kurriz të detyrave publike që mbanin dhe që u vunë në dispozicion të dhunës për destabilitetet kushtetues, nuk kanë pasur dhe nuk kanë mbështetjen e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim. Ata prej kohësh kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe janë strehuar nën sqetullën politike të partisë së Edi Ramës, por jo të socialistëve shqiptare”, tha Manjani.
Manjani siguroi opinionin publik se “as streha politike e ofruar nga Rama e as imuniteti juridik i garantuar deri më sot nga Prokuroria e Republikës nuk mund t’i shpëtojnë keta zotërinj nga përgjegjësia ligjore. Këta zotërinj janë pjesë e skenarit të dhunës së 21 janarit dhe nëse arrijnë t’i shpëtojnë prokurorisë nuk kanë shans t’i shpëtojne drejtësisë”.
“LSI denoncon sot edhe njëherë se dhuna që buron nga paratë e fëlliqura, është e papranueshme dhe e dënueshme. Ne nuk kemi punë me fatin personal e politik të askujt, por kërkojmë si LSI që organizatorët e dhunës së 21 janarit t`i kërkojnë ndjesë shqiptarëve që i mashtruan duke i konfrontuar me forcat e sigurisë kombëtare “, tha Manjani. (LajmeShqip.com)
Friday, 20 January 2012 14:23