Lajme Shqip Sunday, 11 March 2012 18:00

Tiranë- Lëvizja Socialiste për Integrim vazhdon të kërkojë në mënyrë të përsëritur nga politika shqiptare, ngritjen e nivelit të përgjegjshmërisë dhe orientimin e veprimtarisë së saj drejt dialogut politik, komunikimit të vazhdueshëm dhe bashkëpunimit.

Sekretari për marrëdhëniet me publikun në këtë parti, Ardit Çela, tha sot në një deklaratë për shtypin, se “retorika politike duhet të konkretizohet e të materializohet me veprime konkrete, për të përmbushur dhe për të arritur të gjitha ato standarde të domosdoshme për të krijuar besueshmërinë e nevojshme për të marrë statusin e vendit kandidat”.

Sipas tij, situata financiare në rajon, eurozonë apo më gjerë e detyron politikën shqiptare të jetë e përgjegjshme e të kuptojë njëherë e mirë se vonesa e reformave integruese, mosavancimi i tyre, ndikon drejtpërdrejt në ekonominë e vendit.

“Një klimë pozitive politike, një klimë besimi dhe bashkëpunimi i ndërsjelltë, me axhendë të përcaktuar qartë drejt prioriteteve europiane, do të ndikonte drejtpërdrejt, pozitivisht  në ekonominë e vendit, në rritjen e investimeve të huaja, rritjen e punësimit, rritjen e ekonomisë  në familjen e çdo qytetari shqiptar”, tha Çela.

LSI, tha Çela, nuk do të rreshtë asnjëherë, “por do të punojë pa u lodhur për avancimin e reformave, duke vendosur gjithnjë, përpara çdo gjëje tjetër, interesin e qytetarëve, interesin e vendit, interesin e kombit”. (LajmeShqip.com)