Tiranë – Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama u shpreh sot, kundër bllokimit të reformave që kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe dënoi veprimet e lidershipit të Partisë Socialiste që është duke shkuar kundër interesave të shoqërisë shqiptare, e cila aspiron të bëhet vend kandidat i BE-së. 
“Çështjet e plotësimit të kushteve të vëna nga BE, që Shqipëria të përmbushë të gjitha detyrimet për të merituar statusin e vendit kandidat, nuk janë çështje vullnetesh poltike, as çëshjte që lidhen me interesa individuale. Ato janë çështje që kanë të bëjnë me interesat e vendit. Janë detyrime që duhen përmbushur. Janë përgjegjësi që duhen realizuar dhe në këtë kontekst çdo shmangie, tërheqje apo tentativë për të bllokuar dhe zvarritur këtë proces janë në dëm të interesave europiane të vendit”, u shpreh Rama.
Sipas tij, “nuk ka vend për ngazëllim të ndokujt, por ka vend për shfaqje përgjegjësish dhe angazhim real. Nuk ka vend për llogari meskine, që duke kontribuar negativisht për ta blokuar procesin e integrimit europian të vendit, të mund të shpresojë ndokush që mbi këtë bazë të nxjerrë apo të ketë përfitime, apo kapital politik, për interesa të veta apo të grupit që përfaqëson”.
Thursday, 01 March 2012 15:35