Tiranë – “100 vjet shtet shqiptar”, kjo ishte tematika mbi të cilën Lëvizja Rinore për Integrim, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, zhvilloi një ekspozitë me piktura në parkun “Rinia”.
Të rinj të LRI-së, studentë të Akademisë së Arteve, por jo vetëm, nëpërmjet një sërë punimesh të tyre piktura apo edhe skulptura, paraqitën punimet e tyre në këtë ekspozitë. Talentet e reja, pjesë e kësaj ekspozite, falënderuan Lëvizjen Rinore për Integrim dhe LSI, për mundësinë dhe ndihmë që kjo forcë politike ju jep të rinjve.
Të pranishëm në këtë aktivitet nuk ishin vetëm të rinj të LRI, por gjithashtu dhe kalimtarë të rastit, të cilët shihnin këto talente të reja.
E pranishme në këtë ekspozitë ishte dhe kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim për Tiranën, Monika Kryemadhi, e cila i falënderoi dhe përgëzoi të rinjtë për motivimin që këta talente japin. “Me aktivitetet tuaja, ju na jepni një mësim shumë të mirë jo vetëm për rrethin tuaj shoqëror, por dhe për ne drejtuesit e LSI-së të qytetit të Tiranës që nganjëherë duhet ta harrojmë politikën, llafet, por duhet të merremi dhe me gjëra të bukura, të cilat, në njëfarë mënyre, jo të gjithë njerëzit kanë qejf politikën, por njerëzit kanë qejf dhe gjëra të tjera”, u shpreh Kryemadhi.
Ndërsa, kryetari i LRI-së, Endrit Braimllari, theksoi se në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, LRI do të vijojë dhe me aktivitete të tjera. ” Ne jemi të bindur se, duke përkrahur artin, u japim një mundësi më shumë të rinjve të shprehen idetë e mendimet e tyre nëpërmjet një vepre arti. Ndaj, ne duhet të ecim më shpejt përpara në përkrahjen e të rinjve, në përkrahjen e këtyre artistëve të rinj, që janë një vlerë e shtuar për vendin tonë”, pohoi Braimllari. (LajmeShqip.com)
Saturday, 23 June 2012 22:22