Lajme Shqip Thursday, 20 October 2011 19:05

Prishtinё – Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, William Hague, siguroi sot homologun kosovar, Enver Hoxhaj se, vendi i tij do të rrisë presionin mbi Serbinë për shpërbërjen e strukturave paralele në Kosovë, si të vetmin parakusht për të marrë kandidaturën për në Bashkimin Evropian.

Sipas burimeve zyrtare të MPJ-së kosovare, gjatë takimit Hoxhaj ka kërkuar nga Ministri Hague rritjen e presionit ndaj Serbisë, për shpërbërjen e strukturave paralele, ilegale në veri të Kosovës, përfshirë edhe shpërbërjen e strukturave të sigurisë dhe formacionet paramilitare. “Pa shpërbërjen e këtyre strukturave, nuk mund të ketë integrim të qytetarëve serbë në institucionet e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Nga ana tjetër, Ministri Hague ka shprehur mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe për Kosovën në të gjitha aspektet. Ai tha se, Britania e Madhe mbështet fuqishëm sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës dhe se është shumë e interesuar që të ndodh integrimi i plotë i komunave të pjesës veriore në institucionet e Kosovës.

Ndërkaq, Ministri Hoxhaj falënderoi homologun Hague për mbështetjen që po i jep Kosovës, veçanërisht në aspektin e lobimit për njohjen e pavarësisë së saj. “Mbështetja e Britanisë së Madhe në përmbylljen e procesit të njohjes është vendimtare, meqë Britania ka fuqi të madhe politike, ekonomike dhe gëzon lidhje të fuqishme historike dhe kulturore me shumë shtete që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, tha Hoxhaj.

Hague siguroi se Britania e Madhe do ta mbështesë fuqishëm Kosovën në procesin e rritjes së numrit të njohjeve, duke shtrirë ndikimin edhe te pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.