Lajme Shqip Sunday, 29 May 2011 21:49

Londër – Aktakuza kundër Ratko Mlladiqit duhet të riformulohet, ashtu që të përmbajë vetëm një pikë – krim kundër njerëzimit me përgjegjësi komanduese, me qëllim që drejtësia të zbatohet “më mirë se sa që ishte në rastin me Sllobodan Millosheviqin”, deklaroi ish-gjykatësi për krime lufte në Kombet e Bashkuara, Xhefri Robertson.

“Aktakuza e ngarkon Mlladiqin për gjenocid (që është vështirë të dëshmohet dhe është i hapur për konteste të pafundme tekniko-juridike), si dhe krime të shumta lufte gjatë konflikteve ballkanike. Ato duhet të zëvendësohen me një gjë – krime kundër njerëzimit me përgjegjësi komanduese, për vrasjen e më shumë se 7.000 njerëzve në Srebrenicë”, vlerëson Robertson në tekstin autorial, në “Indipendent”.

Eksperti juridik Australian konsideron se “kufizimi i gjykimit në këtë mënyrë do të mundësonte të zbatohet drejtësi para pohimeve të pashmangshme për sëmundjen, moshën dhe paaftësinë e Mlladiqit që ta përballojë gjykimin.

“Ato veçmë janë theksuar nga ana e avokatëve të tij në Beograd, por BE-ja duhet të insistojë në këtë se për to mund të vendoset vetëm në Hagë, pas kontrollit të pavarur dhe të kujdesshëm”, tha Robertson.

Në shkrimin e titulluar “Gabime të cilat në gjykimin e Mlladiqit duhet të mënjanohen” Robertson si shembull e thekson gjykimin e ish-presidentit jugosllav, i cili vdiq para se të arrijë që ta parashtrojë mbrojtjen në lëndën në prokurori, e cila zgjati tre vite të papranueshme.

Robertson problem sheh edhe në faktin se prokurorët dhe gjykatësit “mendojnë se kanë detyrë të shkruajnë histori, e jo të gjykojnë sipas akuzave konkrete”.

Ai thotë se Millosheviqi është dënuar për përgjegjësi në tre lufta të ndryshme në periudhë prej 10 vite, ndërsa në vend të kësaj mund të “gjykohej thjeshtë dhe shpejtë – për spastrim etnik në Kosovë”.

Roberston, i cili deri në vitin 2007 ishte gjykatës apeli në Gjykatën e posaçme të KB-së për Sierra Leone, prej vitit 2010 e përfaqëson themeluesin e Uikiliksit, Xhulian Asanzh para gjyqit britanik në procesin për ekstradim në Suedi, të cilin e kërkon për shkak të akuzave për abuzim seksual.