Lajme Shqip Friday, 22 March 2013 17:25

Prishtinë – Bordi i Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) në mbledhjen e fundit ka rikonfirmuar për drejtor menaxhues të AKP-së, Shkëlzen Llukën që ka ushtruar këtë funksion deri më sot, ndërsa ka vendosur që të shpall edhe konkursin për drejtor menaxhues të Trepçës. AKP-ja është duke i njoftuar kreditorët e Trepçës për një plan, në mënyrë që t’i bind ata kreditor, kurse Hoteli Grand po vazhdon të mbetet nën administrimin e AKP-së, pasi që pala ka kërkuar nga Oda e Veçantë ndalesë gjyqësore.

Kryetari i Bordit të AKP-së, Blerim Rexha, i zgjedhur para disa ditëve, ka thënë se Bordi ka marr vendim për shpërndarjen e listës 20 % për 21 ndërmarrje të cilat i kanë plotësuar kushtet.

Sipas tij, AKP-ja tani nuk ka asnjë listë që pret, por të gjitha mbeten në Dhomën e Veçantë.

Rexha, së bashku me kolegët e tij të rinj, ia ka konfirmuar mandatin ligjor drejtorit menaxhues, Shkëlzen Llukës.

Po ashtu, Bordi ka vendosur që të shpall konkursin për drejtor menaxhues të Trepçës, duke themeluar edhe komisionin për këtë.

“Kemi diskutuar edhe për mungesën e pozitës së drejtorit menaxhues. Bordi ka vendosur të shpall konkursin për drejtorin menaxhues, ka themeluar komisionin për këtë, komision i përbërë nga pesë anëtarë, tre nga agjencia, një nga ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe një nga përfaqësuesit e punëtorëve”, ka theksuar Rexha.

Bordi, po ashtu, njëzëri, ka aprovuar rritjen e rrogave në Trepçë. Po ashtu, ka miratuar kërkesën e tyre për shitjen e koncentratit për vitin 2013.

Kreu i Bordit ka thënë se AKP-ja është duke njoftuar të gjithë kreditorët e Trepçës për planin, në mënyrë të zgjidhen të gjitha problemet që janë në këtë kombinat.

“Agjencioni ka për obligim që kreditorëve t’u tregoj një plan të cilin ata mund t’i marrin kërkesat e tyre të miratuara më vonë nga Gjykata Supreme dhe ky plan ka për qëllim t’i bind kreditorët. Në këtë rast, siç e dini, Qeveria, punëtorët përmbajnë kreditorin kryesor. T’i bind ata se ky plan është në interes të tyre dhe në interes të kreditorëve”, ka deklaruar ai.

I pyetur përse është zgjatur deri më tash ky proces me Trepçën dhe a ka ndonjë problem ende, Rexha ka dhënë një përgjigje interesante.

“Sigurisht si mos të kish qenë problem nuk na kish prit neve”, ka theksuar Rexha.

Nga ana tjetër, drejtori menaxhues i AKP-së, Shkëlzen Lluka duke folur për rastin e Grandit ka thënë se vazhdon të mbetet nën administrim të AKP-së, por që, sipas tij, pala ka kërkuar nga Oda e Veçantë një ndalesë gjyqësore dhe AKP-ja nuk mund të ndërmarr hapa të mëtutjeshëm.

“Sa i përket Grandit, ai është në administrim të drejtpërdrejt. Është duke funksionuar. Është i vetë qëndrueshëm dhe për aq sa mund të gjenerojmë të hyra jemi duke i paguar edhe detyrimet ndaj ndërmarrjeve publike. Problemi me Grandin qëndron që pala ka kërkuar nga Oda e Veçantë ndalesë gjyqësore, një ndalesë e tillë është dhënë nga Oda e Veçantë dhe përderisa ekziston ndalesa Agjencioni nuk mund të ndërmarr asnjë hap me privatizimin”, ka theksuar Lluka.

Bordi i AKP-së sot ka liruar dy Spin off speciale nga raportimi në AKP, njëri është ndërmarrja Minex-i dhe një pjesë e mbetur e Hotelit Iliria.

Po ashtu Bordi ka vendosur shitjen e Onix Banja e Pejës dhe Fabrikën e Baterive në Pejë.

Deri më sot, në arkën e mirëbesim të këtij agjencioni janë 615.4 milionë euro, të grumbulluara. 552.7 milionë nga privatizimet dhe nga asetet-likuidim 62.7 milionë euro. (KP/LajmeShqip.com)