Lajme Shqip Tuesday, 03 July 2012 12:35

Mitrovicë – Rreth orës 10:30, të gjitha rrugët në veri janë liruar për qarkullim, ndërsa protestuesit janë shpërndarë të qetë, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Sipas policisë, protesta e paparalajmëruar e grupeve të qytetarëve në formë bllokadë në rrugë janë regjistruar sot në orët e mëngjesit në katër zonat e përgjegjësisë të rajonit të Mitrovicës, përkatësisht në veri të Mitrovicës, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq.

Sipas policisë, grupe të qytetarëve prej rreth 100 persona, konsiderohet të kenë qenë të tubuar me qëllim të bllokimit të rrugëve kryesore për qarkullim në këto zona si shenjë proteste kundër shtrirjes së institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj vendimit për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë.

Kjo formë e protestës, bllokadës së rrugës, ka zgjatur rreth dy orë ndërsa gjatë kësaj kohe, qarkullimi në rrugët magjistrale konsiderohet të ketë qenë i bllokuar. Pjesëtarët e Policisë së Kosovës ishin prezent në të gjitha vendet e ngjarjes për të monitoruar veprimet gjatë kësaj proteste.

Veç bllokimit të rrugës nuk është regjistruar ndonjë incident tjetër, bënë të ditur policia. Sipas policisë, veç prezencës fizike të personave në formë të bllokadës, nuk ka pasur tentativa për vendosje të pengesave tjera fizike në rrugë. (LajmeShqip.com)