Shkodër – Presidenti i Forumit Ndërkufitar “Liqeni i Shkodrës”, Mahir Hoti reagoi ndaj gjendjes shumë problematike të krijuar nga papastërtitë në Liqenin e Shkodrës.
Duke folur edhe në emër të shoqërisë civile, Hoti tha se “tashmë ka ardhur koha që t’i themi “Stop” dhunimit të liqenit të Shkodrës nga papastërtitë, që janë rritur shumë gjatë periudhës së fundit”.
“Nga barishtet e shumta, që tashmë kanë krijuar edhe shtresa të mëdha mbi ujë, e gjithë sipërfaqja nga pjesa e bregut deri në një thellësi rreth 200 metra, ka filluar të shndërrohet në një moçal të vërtetë. Përveç barishteve që vazhdojnë të shtohen, tepër shqetësuese janë bërë edhe mbetjet dhe papastërtitë e ndryshme që i shtohen masivit të madh të moçalishtes së krijuar në të dy anët e bregut të liqenit, duke e rrezikuar seriozisht të ardhmen e kësaj pasurie të madhe natyre që disponon, jo vetëm Shkodra, por edhe vendi ynë në përgjithësi” tha Hoti.
Ndaj, në prononcimin e tij, Hoti bën apel për më shumë ndërgjegjësim nga të gjithë aktorët në ruajtjen e vlerave të këtij liqeni. “Ka ardhur koha, që secili prej nesh të japë kontributin e tij në mbrojtjen e këtij liqeni, duke filluar nga njësitë vendore apo organizmat që me ligj e kanë për detyrë mbrojtjen e këtij liqeni, por edhe shoqëria civile”, thotë profesor Hoti.
Sipas tij, Liqeni i Shkodrës është një mushkëri për këtë qytet, prandaj çdo qytetar duhet të sensibilizohet për mbrojtje e këtij liqeni.
Si specialist i mirëfilltë mjedisor, Hoti shton se Liqeni i Shkodrës, i cili klasifikohet si një nga liqenet më të vjetra në botë, përbën një pasuri të madhe ujore për biodiversitetin, burimet dhe vlerat e mëdha kulturore dhe për mikroklimën që ofron”. Por, sipas tij “gjatë këtyre viteve të fundit në sipërfaqen e liqenit po vihen re mjaft dukuri negative, që po shkaktohen nga dora e njeriut”.
Për Hotin, depozitimi i materialeve të rënda, hedhja e mbetjeve urbane, gjuetia pa kriter, etj kanë çuar në çrregullime ekologjike dhe ndikime në mjedis. “Liqeni i Shkodrës dalëngadalë po merr formën e një kënete, duke u kthyer nga një prej vendeve më të bukura turistike të Shkodrës, në një moçal të vërtetë”.
Sipas Hotit, “çdo vonesë në marrjen e masave për heqjen e papastërtive që po i marrin frymën liqenit të Shkodrës, do të jetë me pasoja të pallogaritshme në sistemin mjedisor dhe ekologjik të zonës”.
Thursday, 27 October 2011 07:38