Lajme Shqip Thursday, 06 June 2013 10:32

Prishtinë – Fatmir Limaj me shokë është liruar nga arresti shtëpiak në rastin “Kleçka”. Atyre u është komunikuar masa e lajmërimit në stacionin policor.

Këtë e ka konfirmuar avokati mbrojtës i Fatmir Limajt, Tomë Gashi, i cili njoftoi se këtë vendim e ka marrë gjykatësi i rastit Kleçka, raporton “Express”

Ishte paralajmëruar edhe më herët se sot pritej vendimi i Gjykatës në lidhje me këtë çështje. 

Lajmi është konfirmuar edhe nëpërmjet një komunikate nga ana e misionit të EULEX-it.

“Sot, një trup gjykues i përbërë prej gjyqtarëve të EULEX-it dhe gjyqtarëve kosovarë vendosi që t’i lirojë nga arresti shtëpiak të gjithë dhjetë të pandehurit për rastin Kleçka. Mirëpo, prej tash e deri në përfundimin e gjykimit kryesor, të pandehurit janë të obliguar që për çdo ditë të paraqiten në stacionin policor. Pasaportat e tyre mbeten të konfiskuara dhe ata nuk mund të largohen nga Kosova”, thuhet në komunikatë.

“Trupi gjykues vendosi që ta zëvendësojë masën e arrestit shtëpiak me masën e lajmërimit në stacionin policor për shkakun se në vendimet e mëhershme të Gjykatës së Apelit është thënë se masa e arrestit shtëpiak ishte kryesisht e nevojshme për ta shmangur rrezikun e ndikimit tek dëshmitarët. Dëshmitari i fundit i prokurorisë ka dëshmuar gjatë seancës gjyqësore kryesore më 5 qershor 2013.Seancat gjyqësore kryesore për këtë rast do të vazhdojnë më 3 korrik 2013, me ç’ rast të pandehurit do të fillojnë me paraqitjen e rasteve të tyre. Kodi i Procedurës Penale i Kosovës parashikon që gjatë zbatimit të masës së kufizimit për të siguruar zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale, gjykata duhet të sigurojë që të mos e zbatojë ndonjë masë më të ashpër, nëse do të mjaftonte masa më e butë.Të gjitha palët kanë të drejtën e apelit ndaj vendimit të gjykatës”, përfundon komunikata e EULEX-it.