Lajme Shqip Tuesday, 01 September 2015 08:09

Pas dy javësh do të bëhen të aplikueshme dispozitat që parashohin themelimin e Gjykatës Speciale. Fuqizimin e tyre juristët e kanë gjykuar si kundërkushtetues.

Të hënën është publikuar në Gazetën Zyrtare Ligji për dhomat e specializuara dhe zyrën e prokurorit të specializuar, neni 65 i të cilit përcakton se ligji do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare, shkruan “Koha Ditore”.

Baza kushtetuese e ligjit është pikërisht amendamenti 24, të cilin opozita e ka kontestuar në Gjykatën Kushtetuese. Për të Kushtetuesja akoma nuk është deklaruar, por pavarësisht kësaj, presidentja Atifete Jahjaga nuk e ka stopuar procesin e publikimit të këtij ligji që derivon nga amendamenti.

Atë e ka shpallur dhjetë ditë më parë me dekret të veçantë, prandaj është publikuar në Gazetën Zyrtare. Është publikuar njëkohësisht edhe derivati tjetër i këtij amendamenti – Ligji për mbrojtjen juridike dhe mbështetjen financiare të personave të akuzuar potencialë në proceset gjyqësore pranë dhomave të specializuara.

Për dallim nga i pari, ky nuk do të jetë i zbatueshëm menjëherë. Në nenin 10 të tij parashihet se hyn në fuqi gjashtë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.