Ankara-Turqia i kundërpërgjigjet Francës pas miratimit të ligjit që kriminalizon mohimin e genocidit osman ndaj armenëve gjatë luftës së parë botërore.
Pasi tërhoqi ambasadorin e saj nga Parisi, Ankaraja ka vendosur të anullojë të gjitha takimet e karakterit ekonomik, politik dhe ushtarak me Francën.
Masat u bënë publike nga vetë kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan i cili kishte paralajmëruar se projktligji do të krijonte dëme afatgjatë në marrëdhëniet me Francën.
“Ky ligj do të hapë plagë tepër të rënda dhe të pariparueshme për dy vendet tona”-tha Erdogan.
Kryeministri shtoi se Ankaraja nuk do të lejojë më uljen e avionëve ushtarakë francez në Turqi apo ankorimin e anijeve franceze.
Projektligji që u miratua sot nga Asambleja Kombëtare Franceze dhe pritet të shkojë në Senat vitin e ardhshëm është kundërshtuar publikisht nga shefi i diplomacisë franceze Alen Zhype.
Por ministri i jashtëm i Armenisë Edward Nalbandian falenderoi parlamentin, lidershipin dhe popullin francez duke thënë se edhe një herë Franca vërtetoi angazhimin e saj ndaj vlerave universale të njeriut.
Sipas këtij projektligji, kushdo që mohon genocidin osman ndaj armëvene mund të dënohet me një vit burg dhe një gjobë prej 45 mijë euro.
Autorja e draftit, Valerie Boyer nga partia në pushtet Unioni për një Lëvizje Popullore tha se është e shokuar nga reagimi i Turqisë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 22 December 2011 21:01