Lajme Shqip Saturday, 17 December 2011 20:00

Tiranë – Puna e Task Force për antiduhanin ka vijuar me kontrollin e lokaleve dhe bareve, ndaj të cilave janë vendosur deri tani 170 gjoba, tha sot Roland Shuperka, kryetar i Task-Force për zbatimin e ligjit antiduhan dhe mbrotjen e të miturve nga konsumimi i alkoolit. Nga këto, 20 gjoba janë paguar vullnetarisht. Kjo shihet si një sinjal pozitiv nga Shuperka, sipas të cilit, aksioni për zbatimin e ligjit është përqëndruar në Tiranë, për t’u shtrirë më pas në qytetet e tjera.

Shuperka thotë se janë ushtruar kontrolle dhe në qendrat e mëdha tregtare, ku në disa raste janë vendosur gjoba dhe janë  lënë detyra, ndërsa administratorët e tyre kanë marrë masa për zbatimin e ligjit. Por, sipas tij, gjatë punës në terren anëtarët e Task-Forcë kanë hasur dhe presione për mosvendosjen e gjobave. Shuperka përmend rastin e një pronari lokali që është mbajtur në izolim për kërcënim personi.

Referuar vendosjes së gjobave, ai thotë se gjoba është titull ekzekutiv dhe nuk falet, por do të paguhet. Me këtë rast, ai iu bën thirrje drejtuesit e lokaleve, duke theksuar se nuk ka asnjë rrugëzgjidhje, pas vënies së gjobës.  Gjobat dërgohen në Gjykatën e Tiranës me titullin ekzekutiv dhe më pas vilen nga zyrat e përmbarimit.

Ai kujtoi bashkëpunimin me forcat e rendit, ç’ka ka qenë një ndihmesë në punën e Task-force. Shuperka  falenderoi  ministrin e Brendshëm, Bujar Nishani, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj si dhe qytetarët që kanë dhënë informacione të vlefshme me denoncimin e rasteve të moszbatimit të ligjit.

Ligji antiduhan ka hyrë në fuqi në vitin 2007, por zbatimi i tij deri tani ka lënë shumë për të dëshiruar.

Duhanpirja është shkak dhe i sëmundjeve të lidhura me të, sikurse sëmundjet tumorale, sëmundjet kardiovaskulare, etj.  Kështu, kanceri në mushkëri i shkaktuar nga duhani është një nga arsyet kryesore të vdekjeve në Shqipëri. Nga raporti i fundit i OBSH, brenda 5 viteve ka patur 2565 vdekje nga kanceri ne mushkëri, nga të cilat 1655 janë meshkuj dhe 915 femra. Në vend, sipas të dhënave përllogaritet që duhanpirja të arrijë në rreth 40 %, ose 950 mijë duhanpirës.  Ndërsa vihet re një rritje e dukshme e femrave duhanpirëse.