Tiranë – Ditët e fundit është botuar në gjuhën esperanto romani “Lëkura e qenit” i shkrimtarit Fatos Kongoli.
Përkthimin në këtë gjuhë e realizuan esperantisti polak, Tomasz Chmielik në bashkëpunim me esperantistin shqiptar, Bardhyl Mezini. Në muajin prill të këtij viti, një grup esperantistësh, mes të cilëve do të jetë edhe zonja Claude Naumont, nënkryetare e organizatës botërore të Esperantos, do të vijë për një vizitë në Shqipëri. Në programin e kësaj vizite do të kryhet edhe promovimi i romanit “Lëkura e qenit” të Kongolit në gjuhën esperanto.
Romani “Lëkura e qenit” është botuar për herë të parë në shqip në vitin 2003. Më pas u përkthye dhe u botua në disa gjuhë të huaja, mes të tjerash në frëngjisht, gjermanisht, italisht, spanjisht, polonisht, etj.
“Lëkura e qenit” i dha shkrimtarit Fatos Kongoli “Pendën e argjendtë” në vitin 2003. Ndërsa në qershor të vitit 2006 botimi në gjuhën gjermane i romanit “Lëkura e qenit” u përzgjodh si “Libri i muajit” nga librarët e Gjermanisë.
Esperanto është një gjuhë e krijuar nga Ludwik Lejzer Zamenhof në vitin 1887 për të lehtësuar komunikimin midis njerëzve të kombeve të ndryshme pasi është një gjuhë me pak gramatikë dhe me alfabet fonetik.
Friday, 27 January 2012 19:00