Lajme Shqip Friday, 09 March 2012 20:00

Prishtinë-Zgjedhjet që Beogradi zyrtar pretendon t’i organizojë në veri të vendit, janë agresion që shteti serb bën mbi Republikën e Kosovës, vlerësojnë zyrtarët e Lidhjes Demokratike te Kosovës.

Teksa ka paraqitur objektivat programore të LDK-së për qeverisjen e mirë dhe shtetin ligjor, anëtari i kryesisë së partisë më të madhe opozitare, Arben Gashi tha se institucionet e Kosovës kanë obligim kushtetues që ta shtrijnë autoritetin në gjithë vendin dhe të ndalin format e agresionit të Serbisë.

 “Është detyrë kushtetuese dhe ligjore e institucioneve të Kosovës që të shtrijnë autoritetin e vetë në tërë territorin e Kosovës dhe të ndalin çfarëdo lloj forme të agresionit që mund ushtrohet mbi territorin e Kosovës. Në këtë rast kjo mund të konsiderohet si një agresion mbi territorin e Kosovës në kuptimin e organizimit të zgjedhjeve nga një shtet në territorin e Republikës së Kosovës”-tha ai.

Gashi tha më tej se LDK-ja është e përkushtuar për ndërtimin e një Kosove evropiane, por për ta arritur këtë, ai tha se Kosovës i duhet një qeverisje demokratike dhe legjitime dhe sundim të plotë të ligjit. (LajmeShqip.com)