Tiranë – Baletmaestro Aliaj u nderua paraditen e sotme në skenën ku ngjiti për 50 vjet vepra botërore e kombëtare, nga kolegët dhe të gjithë ata balerinë të rinj për të cilët Agron Aliaj ka qënë një pikë referimi. Drejtori i TKOB-it, Zhani Ciko, e cilësoi Aliajn si artistin bazal për zhvillimet historike të TKOB-it dhe themeluesin e baletit klasik dhe koreografisë shqiptare. “Aliaj ka qënë një nga artistët, që me erudicionin e tij ishte i zoti të përthithte kumtin më të mirë të artit shqiptar dhe ta transformonte atë në një simbiozë bashkëveprimi mes të gjitha arteve”, tha Ciko.
Agron Aliaj u nda nga jeta në moshën 79 vjeçare, ditën e djeshme dhe la pas jo vetëm veprat e tij, që janë pjesë autentike e TKOB-it, por edhe një sërë projektesh të parealizuara. Sipas Cikos, veprat e reja shqiptare, por edhe rivënia e veprave të tij, duke i parë me një sy kritik, ka qënë gjithmonë tema e bisedave me baletmaestrin.
“Ai dëshironte që ndarja nga skena të ishte përmes vijimësisë koreografike, ndaj nuk është një ritual zie, por një ritual i ripërtëritje së baletit shqiptar, për të cilin ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm”, tha Zhani Ciko.
Balerini shqiptar i njohur në botë, Ilir Kerni, i pranishëm në homazhet e zhvilluara për atë që, ai e cilësoi mjeshtrin e tij, tha se “vij për t’i dhënë lamtumirën e fundit mjeshtrit tim, kështu dua ta konsideroj edhe pse nga duart e tij kanë dalë të gjithë kërcimtarët e sotëm edhe ata që janë nëpër botë. Shpirtin e tij na e la neve dhe koha do ta tregojë që ai është një nga personalitetet më të shquara të kombit tonë”, tha Kerni.
Pothuajse të gjithë studentët e tij, edhe ata më të vegjëlit, nxënës të Shkollës së Baletit, zhvilluan sot homazhe për profesorin e tyre që i ka mësuar mjeshtërinë e artit të kërcimit. Balerini i parë i TKOB-së, Gert Vaso, në 9 vite punë në këtë teatër, tregon si nuk i është ndarë asnjëherë punës dhe koreografive të tij. “Humbja e tij është një humbje e madhe për artin dhe baletin shqiptar. Nuk mendoj se do të kthehet një emër si Agron Aliaj. Unë jam rritur me imazhin e tij, me punën e tij dhe një pjesë të karrierës sime ia dedikoj atij”, tha Vaso.
Homazhe pranë trupit të tij zhvilloi edhe Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministri i TKRS-së, Aldo Bumçi, ndërkohë që Kryeministri Sali Berisha dërgoi një buqetë me lule për mjeshtrin e baletit shqiptar. Aliaj u aksidentua nga një makinë mbrëmjen e 7 marsit dhe që prej asaj kohe ishte në trajtim intensiv për shkak të dëmtimeve të rënda që kishte marrë. Koreografi nuk arriti të shikonte vënien në skenë të premierës së tij të fundit “Plaga e dhjetë e Gjergj Elez Alisë”, nuk i udhëhoqi balerinët nga pas kuintave.
Studimet e larta Aliaj i kreu në shkollën koreografike pranë Teatrit Akademik të Moskës. Më pas emërohet solist i parë i trupës së baletit të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku realizoi disa kryerole në baletet “Halili dhe Hajrija”, “Delina”, “Cuca e maleve”, “Romeo dhe Zhulieta”, “Franceska da Rimini”, “Lola”, etj. Aktiviteti artistik pasurohet me veprën e tij krijuese koreografike. Pas realizimit të shumë valleve dhe numrave koncertorë Aliaj është autori i shumë baleteve kombëtare si “Cuca e maleve”, “Tokë e pamposhtur”, “Para stuhisë”, “Zhizel”, “Don Kishoti” (1990), “Katedralja e Parisit”, “Liqeni i Mjellmave”, “Migjeniana”, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”. Agron Aliaj mban titullin e lartë “Artist i Popullit”. (LajmeShqip.com)
Friday, 18 May 2012 19:00