Lajme Shqip Sunday, 08 July 2012 13:31

Tiranë – Bashkimi Europian është i vendosur të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt integrimit. Mbështetjen e ka konfirmuar zv/kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Sllovakisë Miroslav Lajçak gjatë takimit që ka zhvilluar me Kryeministrin Berisha në Dubrovnik të Kroacisë.

Zyra e shtypit e qeverisë bëri të ditur të dielën se të takim u diskutuan  zhvillimet e fundit në Shqipëri, e në veçanti, ecuria  e reformave për përmbushjen e 12 rekomandimeve të Komisionit Evropian, me qëllim që vendi të marrë statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian, në takimin e tetorit.

Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha e njohu zv/kryeministrin Lajçak me ecurinë pozitive të reformës elektorale, nismën e mazhorancës për heqjen e imuniteteve të zyrtarëve të lartë, me arritjet e rëndësishme në plotësimin e rekomandimeve si dhe punën intensive për përmbushjen sa më parë të këtij procesi të rëndësishëm për Shqipërinë dhe qytetarët shqiptarë.

Zv/kryeministri Lajçak, vendi i të cilit është anëtar i Bashkimit Evropian, vlerësoi përkushtimin dhe angazhimin për përmbushjen e të gjitha rekomandimeve dhe e risiguroi Kryeministrin Berisha se BE është tërësisht e vendosur të vijojë të mbështesë e ndihmojë Shqipërinë në të gjitha përpjekjet për realizimin me sukses të të gjitha reformave të lidhura me procesin e integrimit. Ai konfirmoi dhe një herë gatishmërinë  e Sllovakisë për të mbështetur e ndihmuar Shqipërinë  në këtë përpjekje madhore, në çdo  kohë.

Kryeministri Berisha ndodhej në Dubrovnik të Kroacisë në kuadër të punimev të Samitit të kryetarëve të qeverive dhe personaliteteve në fushën e vendimmarrjes dhe opinionbërjes me temë “Shtet-ndërtimi dhe eksperienca evropiane”.(LajmeShqip.com)