Prishtinë – Lagjja e romëve në Mitrovicë dhe kthimi i banorëve aty paraqet rrëfimin më të suksesshëm sa i përket kthimit të të zhvendosurve në gjithë Kosovën.
Kështu u vlerësua në një takim dje të nënkryetarit të Komunës së Mitrovicës, Riza Haziri me Susan Ball, drejtoreshë e deskut për OSBE-në në Departamentin e Shtetit Amerikan, e cila kryesonte një delegacion që po qëndron në Kosovë këto ditë.
Sipas zyrës së shtypit të komunës, Ball u interesua për gjendjen e të zhvendosurve, për problemet e tyre ekonomike, sociale etj., ndërsa një interesim të veçantë shfaqi për banorët që kanë jetuar në kampet në veri të Kosovës.
Pas takimit në komunë, delegacioni i OSBE-së i shoqëruar nga nënkryetari Haziri, vizitoi lagjen e romëve ku u njoh nga afër me punën e bërë aty. Ball u shpreh e kënaqur me kushtet e krijuara për të kthyerit dhe vlerësoi lart punën e drejtuesve komunal.
Nënkryetari Haziri, tha se me mbështetjen e Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti të Komisionit Evropian, ka ndryshuar rrënjësisht gjendja e pjesëtarëve të komunitetit RAE. “Komuna ka ndarë tokën, ndërsa Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës kanë ndihmuar që të rindërtohen shtëpitë për banorët që kanë jetuar në kampe”, tha ai.
Haziri tha se problemi kryesor është gjendja ekonomike dhe numri i madh i të papunëve. “Qytetarët e të gjitha etnive në Mitrovicë kanë probleme të mëdha ekonomike si pasojë e nivelit të lartë të papunësisë. Komuna nuk ka mundësi që të bëj shumë në këtë drejtim pa mbështetje nga donatorët dhe investitorët”, tha ai.
Nënkryetari Haziri, është fokusuar në gjendjen e qytetarëve shqiptarë të zhvendosur nga veriu duke theksuar se gjendja e tyre është e rëndë, meqë jetojnë në kushte të këqija nëpër strehimore kolektive.
Wednesday, 25 January 2012 11:06