Lajme Shqip Monday, 30 January 2012 17:22

Prishtinë (PLOTESUAR 31 Janar, 17:10) Kuvendi i Republikës së Kosovës, në seancën e sotme të jashtëzakonshme, miratoi sot Rezolutën për përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të Pavarësisë.

“Konstatoj se me 83 vota pro, 13 kundër, 1 abstenim, Kuvendi miratoi Rezolutën për përfundimin e pavarësisë së mbikëqyrur”, theksoi kryeparlamentari Jakup Krasniqi, pas debatit e votimit.

Sipas tij, “Rezoluta miratohet me vërejtjet përmbajtësore që janë dhënë, jo me diskutimet politike”.

Përmbajtja e Rezolutës

1. Duke njohur përparimin që Kosova ka bërë në vitet që nga Shpallja e Pavarësisë dhe përparimin që do të vazhdojë ta bëjë;

2. Duke mirëpritur vendimin e Grupit Ndërkombëtar Drejtues për të synuar përmbylljen e pavarësisë së mbikëqyrur gjatë vitit 2012;

3. Krenarë në besimin se Kosova është e gatshme të pranojë vendin e vet të drejtë në mesin e vendeve të pavarura të botës;

4. Të përkushtuar ndaj përmbushjes të të gjitha obligimeve që kontribuojnë në përmbylljen e fazës së pavarësisë së mbikëqyrur, përfshirë përfshirjen e parimeve kyçe të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit në Kushtetutë dhe në legjislacionin e Republikës së Kosovës;

5. Të vetëdijshëm se Kosova gjithmonë ka arritur përparimin më të madh drejt synimeve kombëtare kur populli, forcat politike dhe udhëheqësit janë bashkuar;

6. I zoton solemnisht përkrahjen dhe përkushtimin e vet të plotë arritjes së shpejtë, të tërësishme dhe të suksesshme të këtij synimi kombëtar, posaçërisht kalimit me kohë të të gjitha amendamenteve kushtetuese dhe legjislacionit tjetër të nevojshëm për t’i dhënë fund pavarësisë së mbikëqyrur;

7. Fton Qeverinë e Republikës së Kosovës, në konsultim të ngushtë me udhëheqësit e partive parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, anëtarët e Grupit Drejtues Ndërkombëtar dhe Përfaqësuesin Ndërkombëtar Civil, me prioritet të përgatitë dhe miratojë legjislacionin i cili është i nevojshëm për të për kompletuar zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës, si dhe të përgatisë të gjitha amendamentet e nevojshme kushtetuese dhe legjislacionin shtesë dhe t’ia paraqesë këto Kuvendit jo më vonë së katër javë nga data e kësaj rezolute.

8. Në mbështetje të nenit 71 të Rregullores së Kuvendit, autorizon Komisionin e tashëm ad hoc për Reformën Kushtetuese që të përgatisë amendamentet kushtetuese për miratim nga Gjykata Kushtetuese si dhe të përgatisë amendamentet kushtetuese dhe amendamentet legjislative për miratim përfundimtar nga Kuvendi i Kosovës.

*******************************

Prishtinë-Me kërkesë të Grupit parlamentar të PDK-së dhe me mbështetjen e grupeve tjera, Kuvendi i Kosovës të martën mban seancë të jashtëzakonshme ku pritet të votohet një rezolutë me të cilën Kuvendi zotohet se do t’i kryej të gjitha obligimet që dalin nga procesi i përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, siç njofton RTK, theksoi se rezoluta në fjalë, kërkon nga institucionet e Kosovës që të marrin të gjitha përgjegjësitë të cilat do të ndihmojnë në heqjen e pavarësisë së mbikëqyrur.

Rezoluta, e cila deri më tani nuk është mbështetur vetëm nga Lëvizja Vetëvendosje, ka për qëllim për t’i dhënë fund fazës së mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë.

Visar Ymeri, shef i Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, tha se kjo rezolutë është refuzuar nga ky subjekt, për shkak se ajo nuk sqaron se cilat obligime duhet t’i marrë Kuvendi.

Kryeministri Hashim Thaçi ka biseduar me liderët e partive politike javën e kaluar, përfshi edhe opozitën, përveç Vetëvendosjes, ku ka marrë mbështetjen për kryerjen e obligimeve që dalin nga Pakoja e Ahtisaarit.

Thaçi kishte tubuar liderët e partive parlamentare pas takimit në Vjenë më 23 janar me Grupin Drejtues Ndërkombëtar, GND që përkrahin shtetësinë e Kosovës dhe që kanë shprehur vullnetin në Vjenë se mbikëqyrja e pavarësisë të përmbyllet në fund të këtij viti.

Përfaqësuesi Ndërkombëtar Civil, Pieter Feith tha se zbatimi i planit të Ahtisarit, sidomos në veri dhe ndryshimi i Kushtetutës përcaktojnë qartë kalimin e kompetencave të ICO-së tek qeveria e Kosovës duke i paraprirë fundit të mbikëqyrjes dhe rrjedhimisht edhe mbylljes së Zyrës Civile Ndërkombëtare të cilën e drejton ai. Ndryshe, Kryesia e Kuvendit në takimin e sotëm, vendosi që të enjten Kuvendi të mbajë seancë të rregullt ku pritet të shqyrtohen disa projektligje.