Lajme Shqip Saturday, 22 October 2011 10:13

Tiranë – Anëtarë të Partisë Socialiste në të gjithë vendin votojnë sot për zgjedhjen e delegatëve të Kongresit të PS-së, që do të mbahet më 5 nëntor. Votimi ka nisur në orën 08.00 të mëngjesit të sotëm dhe do të mbyllet në ora 16.00.

Kryetari socialist, Edi Rama, votoi më parë në njësinë nr. 2 në Tiranë, ku pas votimit, përshëndeti të gjithë anëtarët e PS-së që votojnë sot për delegatët e Kongresit.

“Sot votohet për rikonfigurimin e kongresit dhe jam i kënaqur me pjesëmarrjen e deritanishme në këtë proces”, ha ai.

PS, partia më e madhe opozitare, numëron rreth 88 mijë anëtarë në të gjithë vendin, përfshi këtu edhe rreth 6 mijë anëtarë në emigracion, veçanërisht në Itali dhe në Greqi.

Në bazë të udhëzimit të miratuar nga Asambleja Kombëtare, numri i delegatëve përcaktohet në bazë të numrit të anëtarësisë së partisë në rang bashkie apo komune, të regjistruar deri më 30 qershor 2011. Në bazë të këtij udhëzimi, në të gjitha degët brenda vendit do të zgjidhet 1 delegat për 100 anëtarë partie.