Prishtinë – Me një minutë heshtjeje, deputetët e Kuvendit të Kosovës në seancën e sotme komemorative, nderuan figurën e kryetarit të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi e vlerësoi lart kontributin politik, atdhetar dhe profesional të Asanajt, ndërsa tha se kulmin në karrierën politike e arriti si përfaqësues i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Të një rëndësie të veçantë kanë qenë veprimet e pareshtura që ai bëri për afirmimin e luftës sonë çlirimtare në qarqet politike e diplomatike në SHBA dhe për përfaqësimin e Kosovës e të interesave të saj menjëherë pas çlirimit”.
Duke folur për angazhimin e Asanajt si kryetar i Bordit të AKP-së, Krasniqi tha se ai ishte i ndërgjegjshëm për kompleksitetin e këtij misioni dhe për rëndësinë jetike që ka procesi i privatizimit në fazën e tranzicionit zhvillimor të një vendi të rrënuar ekonomikisht siç ishte Kosova.
Pas seancës komemorative, deputetët u nënshkruan në librin e zisë në hollin e Kuvendit të Kosovës. Dino Asanaj, vdiq të enjten në moshën 55 vjeçare nga plagët e shkaktuara nga therrja me thikë në fyt dhe në zemër. Motivi i vrasjes nuk dihet ende, ndërsa policia nuk ka arrestuar asnjë person deri më tani lidhur me këtë rast. (LajmeShqip.com)
Friday, 15 June 2012 13:48