Lajme Shqip Thursday, 26 May 2011 12:25

Tiranë – Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli në hapje të seancës së sotme plenare, vlerësoi se “zgjedhjet vendore të 8 majit ishin më të mirat e zhvilluara ndonjëherë në vend dhe këtë e dëshmon edhe rezultati shumë i ngushtë në Tiranë, që është diçka që ndodh shumë rrallë”.

Topalli falënderoi komunitetin ndërkombëtar, përfaqësuesit e SHBA-së, BE-së, OSBE-ODIHR për gjithë punën mbështetëse dhe asistencën e dhënë gjatë kësaj periudhe, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve.

Ajo vlerësoi edhe pjesëmarrjen e lartë të shqiptarëve në zgjedhjet e 8 majit, duke theksuar se, “rezultatet e dy koalicioneve janë të qarta”. Por, theksoi Topalli, në Tiranë ka ndodhur që rezultati të jetë i ngushtë dhe ky është një rast që nuk ndodh shpesh, një herë në 100 vjet.

“Fakti që rezultati është i ngushtë tregon se zgjedhjet kanë qenë të ndershme, të lira dhe më të mirat që mund të ekzistojnë. Jam krenare për zgjedhjet e 8 majit. Demokracia ka sfidat e saj, por jam e sigurt se ne, shqiptarët, do ta kapërcejmë këtë sfidë, duke respektuar shtetin ligjor dhe ligjin, sepse vetëm kështu do të ecim përpara” u shpreh sot, kryeparlamentarja në Kuvend.