Lajme Shqip Tuesday, 19 February 2013 15:12

GJIROKASTER – 89 kuti me eshtra të paidentifikuara kanë të paktën 14 vjet që prehen në kishën e Bularatit, në pritje për t’u varrosur në varrezën greke të këtij fshati. Eshtrat janë të paidentifikuara dhe këtë e ka pranuar vetë zv/ministri grek i Mbrojtjes, Panajot Karabela në dhjetor 2012 gjatë një seance plenare në Parlamentin Grek. Në kohën kur Greqia pritet të fillojë procedurat për rinisjen e kërkimeve për eshtrat e ushtarëve grekë në Shqipëri, në Bularat të Gjirokastrës ka ende 89 kuti me eshtra të paidentifikuara.

Në varrezat e këtij fshati janë varret e 59 ushtarëve të tjerë grekë, tashmë të identifikuar, por Thimi Samarxhiu, gazetari investigativ i “Albanian Screen” ka arritur të sigurojë foto të kutive metalike me eshtra të tjera, që ruhen në ambientet e kishës së Bularatit. Siç shihet në këto foto të ofruara për “GSH” nga “AS”, eshtrat e pretenduara të ushtarëve të rënë grekë gjatë luftës italo-greke, qëndrojnë që prej vitit 1999 brenda kishës pa iu nënshtruar asnjë procedure për të verifikuar nëse me të vërtetë janë apo jo eshtra ushtarësh grekë. 

ZV/MINISTRI GREK

Numri 2 i dikasterit grek të Mbrojtjes tha se në Bularat ekzistojnë 89 kutitë metalike me eshtra, por që janë të paidentifikuara dhe s’dihet kujt i përkasin. “Në varrezat e Bularatit, që u ndërtua në vitin 1999, ekzistojnë 59 varre të ushtarëve të rënë me emrat përkatës dhe 89 kuti metalike me eshtra pa identitet. Në varrezat e Këlcyrës, që është 96-vendëshe, nuk ka eshtra të varrosura. Funksionon si varreza-boshe-monumentale. Dhe në të dyja varrezat zhvillohen ceremoni nderimi dhe përkujtimi më 28 tetor. Është diçka që parashikohet në marrëveshjen mes dy shteteve”, ka deklaruar Karabela në Parlamentin grek.
“Do të thosha gjithashtu që në shtator të këtij viti, atasheu ushtarak i Greqisë në Tiranë vizitoi në Gjirokastër dhe në Këlcyrë gjashtë nga vendet e para të gjetjes së eshtrave, me qëllim që të përcaktohej koha e nisjes së punimeve në terren nga pala shqiptare. Për këtë çështje dhe çështjet që kanë lidhje me të, brenda muajit dhjetor do të bëhet në Athinë një takim i dytë i komisionit miks të ekspertëve. Paralelisht, anëtarët e komisionit këtu dhe në Shqipëri do të punojnë për mbledhjen dhe verifikimin e materialit arkivor, gjetjen e mënyrës së identifikimit dhe marrjen e lejeve të kërkimeve dhe ndërtimit”, mbylli deklaratën e tij në dhjetor 2012, Panajot Karabela, zëvendësministër i Mbrojtjes i Greqisë. 

GERMIMET NE KORÇE
Në plot 31 zona të rrethit të Korçës pritet të gërmohet për gjetjen e eshtrave të ushtarëve grekë, të rënë gjatë luftës italo-greke. Shifra u konfirmua zyrtarisht nga zbardhja e një dokumenti të Ministrisë së Brendshme drejtuar autoriteteve vendore, sipas të cilës jepen edhe pikat koordinative të 31 vendeve që Greqia do kryejë gërmime në rrethin e Korçës. Dokumenti zyrtar sqaron se gërmime do të kryhen në 18 vende në Moglicë pa lënë mënjanë edhe fshatin Boboshticë të Korçës, e trazuar dhe e përfolur për varreza greke pas dhunimit të varrezave shekullore të fshatit, në emër të një memoriali grek nga ana e OMONIA-s në Korçë. Dokumentin bën të ditur se në qytetin e Korçës do të ketë tri pika gërmimi konkretisht në dalje të Parkut Rinia, tek ish-Trikotazhi që në bazë të kordinatave është në afërsi të tregut të fruta-perimeve, por edhe në zonën e cila ndryshe njihet si stacioni i furgonave të Tiranës.(LajmeShqip.com)