Lajme Shqip Lajme Shqip Friday, 16 September 2011 12:02

Tiranë – Flet ndryshe organi më i lartë, Gjykata Kushtetuese e vendit. Ajo i rrëzoi dispozitat për ndryshimin e kombësisë, në ligjin për Gjendjen Civile.

Gjykata ka vendosur me 6 vota pro dhe 2 kundër për të rrëzuar dispozitën e këtij ligji, miratuar ne vitin 2009, që përcakton procedurat e ndryshimit të kombësisë në ligjin për gjendjen civile. Duke e cilësuar ligjin si antiligjor, Kushtetuesja ka kërkuar shpalljen si të papajtueshëm të termit kombësi.

Padia në Kushtetuese u bë nga gjykatat e rretheve Sarandë, Shkodër dhe Përmet, të cilat kërkuan prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese shpalljen si të papajtueshëm.

Qeveria duhet të tërhiqet nga regjistrimi etnik i popullsisë. Fituam kauzën kushtetuese dhe kombëtare, thanë ata.

Ankimuesit deklaroheshin se ligji cenonte parimet kushtetuese duke detyruar shtetasit shqiptarë që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike.

Në bazë të këtij ligji gjykatat, veçanerisht në jug të vendit morën me mijëra vendime për ndryshimin e kombësisë nga shqiptare në greke. Kjo valë ndryshimesh shkaktoi edhe reagimin e gjyqtarëve që bënë ankimimet por edhe te Aleances Kuqezi. Në një tur takimesh në gjykatatat e rretheve, ky ligj është kundërshtuar edhe nga nënkryetari KLD-së, Kreshnik Spahiu.

Menjëherë pas këtij vendimi, reagoi Aleanca Kuqezi, e cila theksoi se Gjykata Kushtetuese delegjitimoi ndryshimet e kombësive.

“Qeveria duhet të tërhiqet nga regjistrimi etnik i popullsisë. Fituam kauzën kushtetuese dhe kombëtare”, thanë përfaqësuesit. Sipas tyre Gjykata Kushtetuese mbrojti sovranitetin e vendit, ndërsa, kësaj radhë u fitua kauza kushtetuese dhe kombëtare.

Në emisionin e së enjtes në Top Channel, “Top Story”, drejtuesi i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu u shpreh: “Basti im ka qenë ky: nëse në fund të procesit të Gjykatës Kushtetuese do të rezultojë që ndryshimi i kombësisë dhe manipulimi ka qenë kushtetues, unë do të dorëzoj detyrën time”.

Duke folur për ligjin e regjistrimit të popullsisë që Aleanca e ka kundërshtuar fort që në fillim, Spahiu theksoi se: Ne jemi vetëm kundër 2 pyetjeve: shteti nuk mund të vijë të më pyesë se çfarë feje kam dhe çfare etnie”.

Më tej lideri i Aleancës Kuqezi tha se kombësia është shndërruar në një mall tregu me letra nga kisha dhe çertifikata falso dhe shtoi se Aleanca që ai udhëheq nuk është kundër regjistrimit, por kundër përfshirjes në të, të dy pyetjeve, atë për besimin fetar dhe për përkatësinë etnike.

Spahiu tha se regjistrimi në këtë formë është kërkesë e Athinës, në këmbim të mbështetjes në rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE. Ai e cilësoi regjistrimin si “kriter të 13”, i bashkangjitur 12 kritereve të Brukselit për procesin e integrimit.

Spahiu shtoi se parashikimi i gjobës deri në 1 milion lekë për deklarim të rremë, është fiktiv, pasi nuk është ngritur një sistem referencial që do të verifikojë deklarimet nëse janë të vërteta apo të rreme.

Biseda precipitoi në një debat të fortë mes Spahiut dhe Stavri Markos (gazetar dhe përfaqësues i minoritetit grek) pro dhe kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare.