Prishtinë – Kosova aplikon që nga dita e sotme parimin e reciprocitet me Serbinë dhe Bosnje Hercegovinën, në marrëdhëniet tregtare.
Zv/kryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës, Mimoza Kusari – Lila, njoftoi për vendimin në mbledhjen e qeverisë, ku u inkurajua zbatimi i këtij parimi.
Pas mbledhjes së qeverisë, ajo deklaroi se “nuk do të njihen vulat doganore dhe të administratës tatimore të Republikës së Serbisë, si dhe ndalohet importi i të gjitha mallrave të përcjella me dokumente që përmbajnë këto vula”.
Sipas këtij vendimi “nuk njihen as vulat doganore të Republikës së Bosnjës e Hercegovinës dhe vendoset taksa doganore prej 10 për qind në mallrat e përcjella me dokumentet që përmbajnë këtë vulë”.
Vendimi, i cili është nënshkruar dhe ka hyrë në fuqi sot, pason anulimin dje të raundit të gjashtë të dialogut teknik mes Kosovës e Serbisë, i paralajmëruar të mbahej sot e nesër.
Në një deklaratë zyrtare, udhëheqësja e delegacionit të Kosovës në bisedime, zv/kryeministrja, Edita Tahiri tha mbrëmë se “raundi i gjashtë i dialogut është anuluar për shkak të palës serbe, e cila nuk është treguar e gatshme ta pranojë marrëveshjen për tregtinë e lirë, përkatësisht njohjen e vulave të doganave të Kosovës, të njohura tashmë nga Bashkimi Evropian”.
Me këtë qëndrim, Serbia vazhdon të shkel parimet e lëvizjes së lirë të mallrave, si një prej parimeve fondamentale të Bashkimit Evropian.
Wednesday, 20 July 2011 18:15