Lajme Shqip Monday, 09 January 2012 16:20

Kriza në eurozonë dhe efektet në kursin e këmbimit valutor mund të japin pasoja edhe në tregun tonë financiar. Sipas ekspertëve të këmbimit valutor, dollari amerikan mund të bëhet përsëri monedha e preferuar për individët edhe në Shqipëri.

Dollari amerikan ka kaluar vlerën e 108 lekëve dhe është vlerësuar me 5.5% krahasuar me një muaj më parë. Ky forcim i dollarit është kryesisht reflektim i forcimit të monedhës së gjelbër ndaj euros. Euro ka rënë në vlerat e 1.27 dollarëve, vlera minimale në dy vitet e fundit.

Zona euro po kalon një moment të vështirë, për shkak të përshkallëzimit të krizës së borxheve. Kjo gjendje ka çuar Greqinë në prag të falimentimit, disa vende të tjera në masa të rrepta shtrënguese, ndërkohë që shumë vende, përfshi Francën, kanë pësuar zhvlerësim të borxhit sovran.

Pritet që eurozona këtë vit të hyjë në recesion dhe ekspertët besojnë se rimëkëmbja do të kërkojë një kohë të gjatë. E gjithë kjo situatë ka favorizuar forcimin e dollarit amerikan ndaj euros dhe, duke parë perspektivën e ekonomisë europiane, dollari mund të forcohet akoma më shumë në të ardhmen. Kjo situatë mund të bëjë që shumë individë, edhe në Shqipëri, të zgjedhin dollarin amerikan për të mbajtur kursimet e tyre.