Mitrovicë – Pas më shumë se dy vjet të fillimit të funksionimit të Zyrës për regjistrim civil në veri të Mitrovicës nga Qeveria e Republikës së Kosovës, e cila njihet si pilot njësi, aty është lidhur edhe martesa e parë ndërmjet një çifti të komunitetit serb.
Jugosllav Todoroviq dhe Vesna Veliq, të dy serbë të lindur në Prishtinë, por që jetojnë në Mitrovicë, kanë lidhur kurorë sot në Zyrën për regjistrim civil në veri, raporton rtk. Kjo pilot njësi është vendosur në objektin e Zyrës Administrative në Veri, por ende funksionon nën juridiksion të Komunës së Mitrovicës. Afrim Voca, koordinator i gjendjes civile, tha se kurorëzimi është bërë në një ceremoni të zakonshme dhe pa bujë.
”Është bërë lidhja e martesës. Lidhja e parë e martesës në pjesën veriore në njësinë pilot të veriut. Kanë lidhur martesë, Jugosllav Todoroviq dhe Vesna Veliq, që të dy janë serbë të lindur në Prishtinë me vendbanim në Mitrovicë”.
Voca thotë se fillimisht kjo pilot njësi ka qenë një shtëpi private në Lagjen e Boshnjakëve dhe ka qenë cak i sulmeve nga grupet kriminale dhe strukturat ilegale serbe. Sipas tij, deri më tani dokumentet më të shpeshta që kanë lëshuar aty kanë qenë ato që kanë të bëjnë me dokumentet personale. Deri me tani ka bërë regjistrimin civil, certifikata të lindjes, por martesa e parë ka ndodhur sot. Në një prononcim të mëhershëm për Radio Kosovën, Voca ka njoftuar se vitin e kaluar me dokumente personale të Republikës së Kosovës janë pajisur rreth 4 mijë serbë.(K.N/LajmeShqip.com)
Thursday, 07 February 2013 13:59