Lajme Shqip Monday, 26 September 2011 12:52

Prishtinë – Zv/kryeministri Hajredin Kuqi hodhi sot poshtë të gjitha mundësitë që çështja e pikave doganore apo çështjet që kanë të bëjnë me sovranitetin dhe organizimin e brendshëm juridiko-kushtetues të Kosova të jenë tema bisedimesh me Beogradin.

“Janë të përcaktuara tanimë temat për të cilat mund të diskutohen dhe ato që nuk mund të diskutohen asnjëherë. Pikat doganore janë çështje që i takojnë sovranitetit tonë dhe organizimit të brendshëm juridik”, tha zv/kryeministri dhe ministri kosovar i Drejtësisë.

Në lidhje me situatën në veri dhe deklarimet e KFOR-it se çështja e barrikadave duhet të zgjidhet politikisht, Kuqi tha se po punohet që të binden qytetarët që të lirohen rrugët, dhe kjo nuk do të zgjasë pafundësisht.

Ndryshe, Kuqi tha se do të punohet intensivisht që atje të sundojë rendi dhe ligji, ndërsa paralajmëroi se shkelësit e ligjit do të nxirren para drejtësisë. (LajmeShqip.com)