Lajme Shqip Monday, 12 September 2011 20:53

Prishtinë – Kundërshtohet unanimisht projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit në mbledhjen e sotme të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor të Kuvendit të Kosovës.

“Duke iu referuar qëndrimit kritik të shumë OJQ-ve dhe deklaratës së Kuvendit Komunal të Prizrenit, Komisioni vlerësoi se ky projektligj është  në kundërshtim edhe me parimet e UNESCO-s”, thuhet në njoftimin nga zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit të Kosovës.

Projektligji nuk ishte votuar në Kuvend edhe më parë, ndërsa ka marrë sërish dritën e gjelbër në qeveri dhe është përcjellë për aprovim në Kuvendin e Kosovës.

Ky projektligj, u tha në mbledhjen e qeverisë më 1 shtator se “rregullon mbrojtjen e vlerës historike dhe kulturore të Prizrenit, në nivelin lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar”.