Lajme Shqip Monday, 26 September 2011 12:02

Kumanovë – Gjendje e rëndë shëndetësore tek të gjithë grevistët mbretëron në ditën e shtatë të kësaj proteste kundër gjykimeve të padrejta kundër shqiptarëve.

Greva e urisë po vazhdon në zyrat e Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut në Kumanovë, ku janë ngujuar të afërm të të dënuarve të Brodecit, Manastirit, Shkupit e Kumanovës, duke kërkuar drejtësi nga organet shtetërore.

Më e rëndë raportohet gjendja e të burgosurve shqiptarë në burgjet e Shtipit, Prilepit dhe Idrizovës, për fatin e të cilëve nuk është duke u interesuar askush, përpos zv/avokates së Popullit në Shtip. Disa media kanë shtrembëruar të vërtetën, duke u shprehur se gjoja të burgosurit janë çuar në kryengritje për shkak të kushteve të vështira në burgje, kurse qëllimi i kësaj proteste me grevë urie është që të dalë në shesh drejtësia dhe asgjë tjetër.

Kryetari i FNDNJ-së, Idriz Sinani, ka thënë se habitet me neglizhencën e institucioneve vendore, e sidomos të atyre që udhëhiqen nga shqiptarët, të cilët deri më tani nuk e kanë ngritur zërin askund për këto padrejtësi.

“Ndoshta e presin ditën të vijnë të na shohin kufoma dhe të na varrosin, por atëherë më nuk kanë se pse të vijnë fare”, u shpreh Sinani.

Sipas tij, grevistët janë të vendosur që deri në fund të shkojnë me vetësakrificën e tyre, ndërsa nëse nuk ndërmerret asgjë sa më shpejtë, parashihet që protesta të organizohen në mbarë vendin, kurse greva e urisë të vazhdojë në zyrat e partisë në pushtet, gjyqit, kuvendit republikan ose qeverisë.

Grevës kanë paralajmëruar se do t’i bashkëngjiten edhe familjarë të tjerë të të dënuarve të pafajshëm. Grevistët për çdo ditë po vizitohen nga shoqata të ndryshme vendore dhe aktivistë, të cilët po solidarizohen me grevistët.

Ndryshe, ICHR-IGFM-FNDNJ u bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që sa më shpejtë të ndërmarrin hapa konkretë në drejtim lirimit të këtyre të burgosurve, të dënuar pa kurrfarë dëshmishë relevante, ose më së paku të kthehen këto lëndë në rigjykim. (LajmeShqip.com)