Lajme Shqip Thursday, 19 May 2011 16:51

Kumanovë – Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) dega Kumanovë ka vlerësuar se i tërë procesi i punës akademike në Fakultetin e Biznesit dhe të Administratës Publike në Kumanovë, i ngjanë një telenovele e cila me gjasë do të zgjasë edhe për një kohë të gjatë.

Kandidatja për deputete e RDK-së, Diturie Kamberi përmes një konference për gazetarë ka thënë se problemet në këtë institucion arsimor shqiptar po thellohen dita-ditës, ashtu që ky tempull i dijes është bërë sinonim i së keqes që nuk kanë të ndalur.

 

“Në njërën anë ‘huliganët’ dhe ‘partizanët’ partiak që kërcënojnë dhe shantazhojnë profesorët, ndërsa në anën tjetër “ligjërues” të deleguar të partive politike të cilët kurrë në jetën e tyre nuk kanë bërë një punim shkencor, ndërsa janë të obliguar edhe të paguhen për të ‘shitur’ dituri akademike”, ka thënë Diturie Kamberi, duke shtuar se përgjegjësinë mbi këtë situatë të krijuar e bartin autoritetet udhëheqëse të këtij institucioni.