Kumanovë – Kandidati për deputetet i Rilindjes Demokratike Kombëtare (RDK), Selver Jashari në një deklaratë me shkrim ka akuzuar partinë shqiptare në pushtet BDI për dëmet që i shkaktoi Komunës së Likovës.
“Banorët e komunës së Likovës ende i kanë para syve fotografitë dhe pamjet e tmerrit të karvanëve të familjeve dhe fëmijëve në vaj dhe lotë që çdo ditë niseshin drejt mërgimit, duke ikur nga skamja, nënçmimi, mungesa e kafshatës së bukës, për të parë shpëtimin diku larg duke u tretur larg botës”, ka thënë Jashari. Ai u shpreh se Komuna e Likovës u zbraz duke na kthyer pamjet e eksodit shqiptar të dekadave dhe shekujve të kaluar, ndërsa Qeveria e Maqedonisë dhe BDI që ishte pjesë e saj, heshte dhe vetëm heshte, bënte sehir duke ndjekur dhe përcjellur familjet shqiptare që shitën toka, prona dhe gjësendet më me vlerë, për të ikur diku, për të siguruar kafshatën e gojës dhe me shpresën për të shpëtuar nga skamja, vuajtjet dhe diskriminimi. Sipas tij shqiptarët e kësaj ane janë dëshmitarë se në këto treva tona nuk u investua as një cent apo denarë për komunën e Likovës dhe zonat tjera shqiptare të Kumanovës, Haraçinë, Hasanbeg dhe vendbanime tjera. Ata për 20 vite na mbajtën të mbyllur me vëllezërit tanë përtej kufijve në Kosovë e Luginë të Preshevës. Premtuan të gjithë me radhë se do hapin vendkalimet kufitare, por kot, edhe në këtë rast dolën faqezinj dhe gënjeshtar. A durohet edhe kjo padrejtësi dhe a duhet të shpërblehen ata që na sollën deri këtu, në këtë situatë të mjerimit dhe të turpërimit. Vëllezër dhe motra të nderuara, familje të nderuara shqiptare mos votoni ata që na sollën deri këtu, mos i jepni votën, sepse me këtë dënoni veten, fëmijët tanë dhe të ardhmen tonë. Të mos lejojmë nëpërkëmbje të tmerrshme dhe t’i themi stop këtij diskriminimi për të kthyer dinjitetin dhe krenarinë shqiptare”, shtoi Jashari. Ai ftoi që të mos votohet partia shqiptare në pushtet, sepse i jep fuqinë atyre për interesat klanore të qeverisjes, ndërsa këto zona do të zbrazen dhe braktisen nga familje e të rinj, të cilët nuk kanë shpëtim dhe do të jenë viktima të diskriminimit shtetëror, me bekimin e atyre shqipfolësve që deri sot janë në pushtet.
Sunday, 22 May 2011 17:53