Lajme Shqip Monday, 16 May 2011 17:55

Kumanovë – Zëdhënësi i Shtabit Zgjedhor të Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Nehat Demiri akuzoi Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) se po politizon studentët dhe institucionet e arsimit.

“Edhe përkundër përcaktimit se institucionet shkollore janë të depolitizuar, jemi dëshmitarë se pjesë të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT), më konkretisht hapësirat Fakultetit të Administratës së Biznesit në Kumanovë, tani me të madhe po shërbejnë në fushatën parazgjedhore të filluar para kohe nga BDI-ja dhe celulat e saj të instaluara në këtë institucion të lartë arsimor”, deklaroi të hënën Nehat Demiri, zëdhënës i shtabit zgjedhor të PDSH-së.

Ai më tej ka thënë se “ata po i përdorin këto lokale si vend për zhvillimin e fushatës propaganduese për të ftuar studentët në pjesëmarrje në konventat partiake me kushtëzim që secili prej tyre të marrë me vete edhe 10 pjesëmarrës të tjerë, për të bërë agjitim përmes metodave të ndryshme”.

Demiri më tej ka shtuar se ky institucion po keqpërdoret për mbajtjen e promovimeve të kandidatëve garues në garën për deputet nga partia shqiptare në Qeveri – BDI.

Sipas tij, me këtë akt kandidatët e BDI-së, jo vetëm që bëjnë shkelje të ligjit zgjedhor por nëpërkëmbin edhe autonominë universitare për qëllime tekanjoze partiake dhe krijojnë një pasqyre ireale duke bërë presion ndaj studentëve që të marrin pjesë në këto prezantime dhe konventa partiake.

“Është ky hap i terrorizimit të pjesës më vitale të popullatës. Është hap i qeverisjes në ikje e cila dosido do të zëvendësohet me një qeverisje reale dhe dinjitoze ku do të respektohen të gjitha vlerat dhe parimet e institucioneve të larta arsimore”, tha mes tjerash përfaqësuesi i PDSH-së.