Kumanovë – Ka vazhduar greva e urisë në zyrat e IGFM-së në Kumanovë, si dhe e të burgosurve në burgjet e Idrizovës, Shtipit dhe Prilepit, ku po mbahen të dënuar padrejtësisht dhjetëra shqiptarë. Gjendja shëndetësore e grevistëve ende mbahet nën kontroll, me përjashtim të përkeqësimit të shëndetit të kryetarit të IGFM-së, Idriz Sinani, si dhe Amdi Klenjës nga Manastiri (prindi i dy djemve të dënuar padrejtësisht me nga 10 vjet burg).
“Grevistët janë vizituar nga përfaqësues të OSBE-së si dhe përfaqësues të partive politike BDI dhe PDSH, të cilët për së afërmi janë njoftuar me kërkesat e grevistëve. Këshilli grevist mirëpret çdo iniciativë që është në funksion të përmirësimit të padrejtësive ndaj gjykimeve të këtyre rasteve, por kundërshton ashpër çdo lloj tentimi të partive politike që ta politizojnë këtë akt. Ata kërkojnë që sa më shpejtë të bëhet rishqyrtimi i këtyre aktgjykimeve të padrejta, dhe këtyre mos t’u jepet asnjë ngjyrë politike. Shumica e aktvendimeve të këtyre rasteve kanë kaluar të gjitha instancat gjyqësore maqedonase, dhe tani lëndët gjenden në Gjykatën e Strasburgut, ku janë duke u zvarritur shumë. Kërkohet nga Gjykata e Strasburgut që të vendos sa më shpejtë që është e mundur për këto lëndë nga Maqedonia, të cilat presin nga dy-tre vite të zgjidhen. Grevistët konsiderojnë se në gjykime janë thellësisht politike, për çka flet edhe fakti se shumica e të dënuarve janë ish-pjesëtarë të UÇK-së”, thuhet në komunikatë.
IGFM u bën thirrje institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që sa më shpejtë të ndërmarrin hapa konkret në drejtim lirimit të këtyre të burgosurve të dënuar pa kurrfarë dëshmi relevante, ose më së paku të kthehen këto lëndë në rigjykim.
Wednesday, 21 September 2011 19:44