Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 08:44

Vlorë – Tuneli i Ujit të Ftohtë në bregdetin e Vlorës, i ndërtuar në vitet 1916-1918 nga trupat ushtarake italiane, po rikonstruktohet me një financim prej 75 milionë lekë të qeverisë shqiptare.

I ndërtuar sipas një projekti me autor një inxhinier italian, tuneli, pjesë e aksit kombëtar Vlorë-Sarandë që kalon nëpër rivierën shqiptarë, ishte mjaft i përparuar për kohën. Tashmë ai do të zgjerohet dhe rikonceptohet, duke e përshtatur me parametra bashkëkohorë që do të zgjidhin një nga problemet më të rëndësishme të qarkullimit në këtë qytet, sidomos në muajt e verës.
“Punimet synojnë përmirësimin e parametrave të këtij tuneli në lartësi dhe gjerësi, të pamjes estetike dhe gjendjes funksionale të brendshme, si dhe rikonceptimin e infrastrukturës rrugore në hyrje dhe dalje të tij”, thanë për ATSH-në specialistë të Drejtorisë Rajonale të Rrugëve.

Me përfundimin e punimeve, që parashikohet të zgjasin rreth 12 muaj, do të normalizohet qarkullimi i automjeteve në këtë tunel edhe në momentet e fluksit më të lartë, në periudhën e verës. Në gjendjen aktuale, gjatë sezonit të verës qarkullimi vështirësohet mjaft dhe shpesh ndërpritet duke krijuar probleme gjatë gjithë gjatësisë së rrugës së bregdetit.      
Aktualisht, për shkak të punimeve, qarkullimi i automjeteve përmes tunelit është bllokuar tërësisht dhe lëvizja e tyre realizohet në të dy kahet ne segmentin rrugor që përshkon këtë zonë në pjesën e sipërme të rezidencës qeveritare.

 ###

– Tuneli i Ujit të  Ftohtë, një nga simbolet e Vlorës
Tuneli i Ujit të Ftohtë përfaqëson një objekt me mjaft rëndësi jo vetëm për infrastrukturën, por edhe për historinë e qytetit të Vlorës. Ai është ndërtuar në periudhën 1916-1918, nga trupat ushtarake italiane që ishin instalur në Vlorë në kuadrin e Luftës së Parë Botërore dhe nga robërit austriakë, të cilët zbatuan punimet për ndërtimin e rrugës kombëtare Vlorë-Sarandë. Në ato parametra, tuneli ka përballuar të gjithë fluksin e qarkullimit të automjeteve në të dy kahet e rrugës kombëtare të bregdetit të Jugut.
Gjatë këtyre dekadave, tuneli është përfshirë nga ndërhyrje të pjesëshme që kanë synuar mirëmbajtjen e infrastrukturës rrugore të tij. Në hyrje të Tunelit ndodhet burimi i famshëm i Ujit të Ftohtë, që furnizon me ujë të pijshëm qytetin.