Tash është e braktisur, por zor se mund të gjendet një tjetër monument, që për afro një shekull histori të ketë pasur aq shumë funksione, shkruan sot E diela me Koha Ditore.
Prej atyre fisnike në aso trishtimi. Kullën në fshatin Balincë të Vushtrrisë e ndërtoi Zejnullah Begu, që fillimisht i shërbeu atij dhe familjes së tij.
Por gjatë “jetës” së saj, ajo kishte ndërruar disa herë funksionet, duke iu bërë kësisoj edhe ndryshime të vogla në brendi. Nga mesi i shekullit XX, godina kishte kryer funksionin e shkollës, dhe po u shërbente jo vetëm fëmijëve të fshatit ku ndodhej, por edhe të atyre të fshatrave përreth. Por krejt tjetër funksion do të merrte më pas. Do të shndërrohej në stacion policie, ku do të torturoheshin shqiptarë. Për një kohë do të shërbente për uniformat e kaltra, për t’u kthyer sërish në një funksion edukimi. Në fakt, në vitet ’80 të shekullit të kaluar, kulla e Zejnullah Begut do të mbahet në mend si shtëpi kulture.
Më pas u bë strehë për familje të varfra të kësaj ane. Në luftën e fundit në Kosovë, në vitet 1998/99 u dogj e gati sa s’u shkatërrua tërësisht. Të çarat e mureve nga granatat që e goditën ishin aty deri në vitin 2014, kur në objektin e trashëgimisë kulturore, Ministria e Kulturës investoi për të marrë masa emergjente për shpëtimin e saj nga rrënimi që i kanosej. E ardhmja e saj mbetet e paqartë. Është përmendur që të shndërrohet në bibliotekë, por ka edhe ide të tjera.
Deri atëherë, ajo mbetet e zbrazët, ndonëse jo pak vizitorë shkojnë për ta parë kullën që e ngriti familjari i patriotit shqiptar me nam, Hasan Prishtina, ndonëse emër në histori bëri edhe vetë Begu. E çelësat e godinës i mban Fatmir Pllana, në oborrin e të cilit pothuajse gjendet kjo kullë.
Pllana, në verën përcëlluese të këtij viti, po rregullonte diçka në oborrin e shtëpisë së tij në Balincë. Ardhja e “mysafirëve” të paftuar në oborrin e tij, e që nisen drejt Kullës monumentale, nënkupton edhe një ndërprerjen e punës. Një pauzë e detyrueshme.
Sunday, 02 August 2015 13:14