Kukës – Dhe pse po afrohet fundi i muajit nëntor, thatësira e tejzgjatur vazhdon me të njëjtat ritme. Ndërsa rrugët e qytetit të Kukësit janë mbuluar nga gjethet e pemëve, mungesa e rreshjeve ka krijuar probleme në furnizimin me ujë të pijshëm të banorëve të qytetit dhe fshatrave përreth tij.
“Nuk furnizohemi prej ditësh me ujë të pijshëm, detyrohemi të marrim ujë te komshinjtë në katet e ulta”,- tregon Ylber Kamberi.
Kjo situatë ka shkaktuar jo pak shqetësime për konsumatorët. Bashkë me thatësirën, prurjet e ujit në vendburimin e ujësjellësit kanë rënë ndjeshëm në ujësjellësin e Kolosjanit.
Drejtori i ndërmarrjes së Ujësjellësit në Kukës, Rasim Shehu thotë se rrjeti mjaft i amortizuar i ujësjellësit rrit ndjeshëm nivelin e humbjeve të ujit të pijshëm, si edhe defekteve në rrjet. Kjo situatë, thotë ai, mund të rregullohet vetëm me ndërtimin e ujësjellësit të ri, një investim i parashikuar prej 3.6 milionë eurosh,i nisur një vit më parë.
Saturday, 19 November 2011 15:30