Kukës – Ka patur nje tendencë në rënie te veprimtarisë kriminale në qarkun e Kukësit gjatë këtij viti. Kjo është evidentuar në analizën vjetore të drejtorisë së policisë së qarkut, ku merrnin pjesë edhe përfaqësues nga ministria e Brendshme, pushtetit vendor, prokurorisë, gjykatës etj.
Në raportin e drejtorit të drejtorisë së policisë së qarkut, Sadri Ramcaj, u vu theksi në përmirësimin e ndjeshëm të performancës së shërbimit policor në shërbim të komunitetit, gjë që nënkupton rritjen e treguesve në goditjen e krimit, grumbullimit të vlerave pozitive, në përmirësimin e komunikimit dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të efektivit.
“Komuniteti ka të drejtë t’i kërkojë shërbimit të policisë të njëjtat standarde si të banorëve të komunitetit evropian”, tha Ramcaj. Veç kësaj, ai ka përmendur bashkëpunimin efikas me shërbimin policor të Kosovës, gjë që ka rritur më shumë luftën kundër veprave të ndryshme kriminale që janë më shqetësuese në të dy vendet.
Drejtori i policisë së qarkut bëri të ditur se, “gjatë këtij viti janë evidentuar 320 vepra penale, prej të cilëve 247 janë të zbuluara. Në këto vepra penale janë të implikuar 352 autorë, prej të cilëve 63 janë ndaluar, 252 ndiqen në gjendje të lire dhe 37 janë shpallur në kërkim, me një zbulueshmëri prej 76 përqind”.
Rënie të ndjeshme ka krimi kundër personit. Kështu, nga 10 raste të shfaqura vitin e kaluar, gjatë këtij viti janë evidentuar vetëm 3 raste. Gjatë këtij viti janë evidentuar 50 vepra penale të krimit financiar me 52 autorë, prej të cilëve 48 ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa 4 persona janë arrestuar.
Prefekti i Kukësit, Elez Maci, e vuri theksin në vazhdimin e bashkëpunimit me të gjitha strukturat shtetërore në luftën kundër krimit. Ndërsa nga punonjës të policisë u vu theksi në bashkëpunimin me komunitetin si nje faktor ndër më kryesorët në efektivitetin e luftës së pandërprerë kundër veprimtarisë kriminale.
Wednesday, 14 December 2011 08:48