Kukës – Mbrojtja e të drejtave të fëmijëve në qarkun e Kukësit, gjithnjë e më tepër po vihet në vëmendjen e shoqërisë. Problem shqetësues në këtë qark mbeten mungesa e arsimit parashkollor në 50 për qind të njësive të qeverisjes vendore, mosfunksionimi i qeverisjes së nxënësve në pjesën më të madhe të shkollave, apo braktisja e tyre nga mbi 80 fëmijë të moshës nën 16 vjeç.
Të mbledhur në Ditën Ndërkombëtare për të Drejtat e Fëmijëve, nxënësit e shkollave organizuan në sheshin e qytetit një manifestim, me synim ndërgjegjësimin e shoqërisë për të drejtat e tyre.
“Pushtetin vendor do ta keni përherë pranë për realizimin e kërkesave tuaja”, tha në fjalën e tij kryetari i Këshillit të Qarkut, Ibsen Elezi. Në fokus të punës do të jetë mbrojtja e të drejtave të fëmijëve dhe kërkesat tuaja për një jetë më të mirë”, tha ai.
Nxënësit i përshëndetën dhe përfaqësues të shoqatave jo qeveritare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.
“Pavarësisht se tani kemi edhe një ligj që mbron të drejtat tuaja, duhet më tepër punë për zbatimin e tij”, – tha përfaqësuesi i shoqatës “Alb – Aid”, Jonuz Kola.
Monday, 21 November 2011 17:10