Lajme Shqip Wednesday, 27 April 2011 12:41

Kukës – Sot paradite, në spitalin civil të qytetit të Kukësit, u zhvillua ceremonia e përurimit të repartit të ri të urgjencave, të pajisur me aparatura të reja si autoambulanca, skaner, skopi, grafi, pajisje imazherie për diagnostikim, etj.

“Aparaturat e sjella janë të klasit të parë”, u shpreh ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i pranishëm në këtë ceremoni. Ai falenderoi qeverinë japoneze për ndihmën, megjithë tragjedinë e pësuar si pasojë e tërmetit e tsunamit shkatërrimtar. Vasili premtoi se “ndihma ndaj spitalit të Kukësit për ta ngritur edhe më nivelin e tij, do të vazhdojë edhe në të ardhmen”.

“Shqipëria ka qenë në mjedis bashkëpunues në shumë fusha të jetës, ndaj kemi dhuruar pajisje të urgjencës në mënyrë që të përmirësojmë dukshëm standardet e shërbimit ndaj qytetarëve të këtij rajoni”, u shpreh në përshëndetjen e tij, Yuzo Ota, Ministër i Ambasadës së Japonisë për Shqipërinë. Ai tha se “këto pajisje do të shërbejnë për përmirësimin e punës së shpëtimit të jetës, do t’i shërbejnë komunitetit sa më mirë”.

Projekti “Përmirësimi i Pajisjeve Mjekësore në qendrat rajonale të urgjencës”, që lëvrohet nga agjencia japoneze për bashkëpunim ndërkombëtar, ka lëvruar pajisje mjekësore për urgjenca, pajisje për shpëtimin e jetës, pajisje të imazherisë, për laboratore klinike, etj., në 14 qendra urgjence në shkallë vendi. Kjo ndihmë e qeverisë japoneze kap një vlerë prej mbi 6 milion eurosh.