Lajme Shqip Thursday, 10 May 2012 09:35

Kukës – Një zjarr i rënë prej dy ditësh në masivin pyjor të  zonës së Malziut të rrethit të Kukësit vazhdon të zgjerohet duke shkaktuar shqetësimin e banorëve  të fshatrave përreth.

Ne kemi ndërhyrë, por deri tani  nuk  kemi mundur  ta shuajmë, ndërsa zjarri  po zgjerohet”, thotë kryetari i komunës së Malziut, Astrit Dobroshi.

Zjarri i rënë në një masiv  të thellë  mendohet se ka qene nga pakujdesia e ndonjë kalimtari, apo  nga pakujdesia e barinjve. Pavarësisht  se pjesa më e madhe e masivit pyjor të kësaj zone është në përdorim të komunës,  në këtë periudhë kur  rreziku i rënies së zjarreve është në rritje, është e domosdoshme ndihma e specialistëve të ndërmarrjes së shfrytëzimit pyjor  të rrethit.

Ndërkohë, edhe pse ende temperaturat nuk janë shumë të larta, shfaqja e rasteve të rënies së zjarrit evidenton domosdoshmërinë e bashkëpunimit të pushtetit vendor me ndërmarrjen e shfrytëzimit pyjor me synimin e parandalimit të zjarreve.

Për këtë nuk mjafton ngritja e grupeve të sinjalizimit, apo grupeve të shuarjes së zjarreve, por efektiviteti i tyre në parandalimin e zjarreve. Këtë e tregon edhe fakti se edhe pse është nisja e stinës së nxehtë, deri tani janë  regjistruar 4 raste zjarresh.