Kukës – Afrimi i stinës së reshjeve ka sjellë shtimin e kontrollit të rezervuareve pas një sezoni ujitës efikas në qarkun e Kukësit. Kjo edhe për faktin se një pjesë e mirë e këtyre rezervuareve janë mjaft të amortizuar që nga periudha e ndërtimit në vitet ’60.
Qarku i Kukësit ka në funksionim 38 rezervuare gjithsej, prej të cilëve 24 në rrethin e Hasit, 8 në rrethin e Tropojës dhe 6 në rrethin e Kukësit. Ndërsa lartësia e digave të tyre varion nga 16 – 36 metra dhe kapaciteti ujembajtës varion nga 300 mijë metër kub ujë deri në 1,7 milion metër kub ujë.
“Gjatë inspektimit të kryer gjatë muajit të fundit janë konstatuar probleme të ndjeshme kryesisht në ujëlëshuesit, shkarkuesit, filtrime në skarpatet e jashtme të rezervuareve deri edhe në ulje të nivelit të digave”, bëri të ditur drejtori rajonal i bordit të kullimit, Bujar Shehu.
Më problematike e që kërkojnë ndërhyrje të shpejtë janë rezervuaret e Tropojës së vjetër, Golaj 1 dhe Vranisht 2 në rrethin e Hasit dhe rezervuari i Shishtavecit në rrethin e Kukësit. “Nga specialistët e bordit të kullimit janë marrë masat për përballimin e emergjencës dimërore, por duhet punuar edhe për përgatitjen për sezonin e ardhshëm të ujitjes”, thotë Shehu.
Ndërkohë, nga specialistët pas vërejtjes së mangësive, është kërkuar mbajtja e sasisë së ujrave nën një të tretën e nivelit, për të cilën është ngritur edhe njësia e drejtimit teknik qe mban nën monitorim të vazhdueshëm nivelin e sasisë së ujrave të rezervuareve më problematike. Nderkohe, vënia në përdorim e këtyre veprave ujitëse nga shoqatat e ujitjes ka mundësuar rritjen e ndjeshme të efektivitetit të përdorimit të tyre e njëherësh ka mundësuar parandalimin e dëmtimit të mëtejshëm.
Për mbajtjen në përdorim të rezervuareve cdo vit kryhen investime të konsiderueshme. Kështu, gjatë këtij viti me fonde nga buxheti i shtetit është ndërhyrë në rezervuarin e Llakajt e të Qarrit në rrethin e Hasit. Ndërhyrje të tilla kanë bërë që të gjitha veprat ujitëse të jenë cdo vit në shërbim të fermerëve.
Saturday, 12 November 2011 10:40