Kukës – Ka nisur të rritet interesi për t’u anëtarësuar në dhomën e tregtisë te Kukësit, ne një kohe kur numri i bizneseve të anëtarësuara ka qene i vogël. “Interesi për t’u anëtarësuar është në rritje, edhe pse ende jo në nivelin e duhur. Këtë e tregon edhe fakti se tashmë kemi 96 anëtarë, nga 46 anëtarë që kishim në fund të muajit qershor”, thotë kryetari i dhomës rajonale të tregtisë të qarkut të Kukësit, Beqir Basha.
Numri në rritje i bizneseve private në qarkun e Kukësit vetëm muajt e fundit ka nisur të japë shenja të organizimit e të bashkëpunimit. Në shkallë qarku funksionojnë rreth 1200 biznese, çka tregon se numri i bizneseve të anëtarësuar në dhomën e tregtisë është ende i ulët. “Deri tani dhoma e tregtisë ka operuar kryesisht me biznesin e madh që është më i interesuar për t’u anëtarësuar, duke vendosur lehtë marrëdhënie me biznesin e vendeve të tjera”, thotë Basha. Sipas tij, ende biznesi i vogël është indiferent për dhomën e tregtisë.
Ndërkohë, tashmë vëmendja është përqendruar në zgjidhjen e mjaft problemeve me të cilat përballet biznesi i madh i këtij rajoni, me synimin e zgjidhjes së tyre, gjë që do të mundësojë edhe hapjen e fronteve të reja të punës, duke shfrytëzuar edhe kurset trajnuese. Kështu, kurset për të punuar në miniera i kanë përfunduar deri tani rreth 200 persona në rrethet e Kukësit e të Hasit, të cilët mendohet se do të punësohen në minierat e Kalimashit e të Vlahnës.
Saturday, 17 December 2011 16:10