Kukës – Reshjet e shiut e të dëborës gjatë ditëve të fundit kanë sjellë jo pak ndotjen e ujit të pijshëm duke shkaktuar shqetësimin e banorëve të qytetit të Kukësit dhe fshatrave përreth tij.
“Nga analizat e kryera shkaku kryesor i ndotjes fizike të ujit të pijshëm janë reshjet e ditëve të fundit. Nga analizat nga ana bakteorologjike uji i pijshëm është shumë i pastër”, tha për ATSH-në përgjegjësi i zyrës së higjienës në drejtorinë rajonale të shëndetësisë, Neritan Biba.
Ndërkohë, për kontrollin e vazhdueshëm të situatës në 12 pika fundore po kryhen analiza të vazhdueshme dy herë në ditë dhe po hidhet klor në masën 0,3 miligram për litër ujë.
“Situata është nën kontroll, ndërsa masat për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve janë shtuar”, thotë Biba.
Një nga shkaqet kryesore të ndotjes së ujit të pijshëm sa herë ka reshje është amortizimi i madh i ujësjellësit. Një gjë e tillë e ka bërë të domosdoshmë ndërtimin e një ujsjëllësi të ri, gjë për të cilin është akorduar nga Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve edhe një fond prej 3,5 milion eurosh. Por përfundimi I punimeve që kanë nisur që dy vjet më parë, tashmë janë braktisur, ndonëse ishin për të përfunduar në dhjetorin e vitit 2010.
Në bashkinë e Kukësit janë të regjistruar 3342 konsumatorë familjarë, 359 konsumatorë privatë dhe 70 konsumatorë shtetërorë të ujit të pijshë. Ndërsa shumë të tjerë janë në komunat e Bicajt dhe të Shtiqnit.
Friday, 23 December 2011 13:19