Kukës – Në qytetin e Kukësit u organizua dje një simpozium në mbështetje të projekteve të asistencës dhe ndihmës për të aksidentuarit nga minat në Shqipëri, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve te Ministrisë së Punëve të Jashtme, ministrisë së Mbrojtjes dhe Shëndetësisë si dhe trupit diplomatik të akredituar në vendin tonë.
Drejtori i spitalit civil të Kukësit, Emin Ferhati, tha se pas konfliktit në Kosovë pati 34 të vdekur dhe 238 të aksidentuar nga minat në zonat kufitare. Sipas tij, janë kontaminuar nga minat antinjeri 39 fshatra të rajonit, etj.
Ferhati vlerësoi ndihmën që donatorë të ndryshëm kanë akorduar gjatë këtyre viteve për spitalin rajonal, duke sjellë sikurse u shpreh ai, përmirësimin e shërbimeve ndaj komunitetit e sidomos të të dëmtuarve nga minat.
Gjithashtu u vlerësuan projektet për pastrimin e minave në zonat kufitare, të cilat janë realizuar përmes PNUD-it, ITF-së, ndihmës amerikane, britanike, holandeze, etj, si dhe për ndihmën ndaj të gjymtuarve përmes prodhimit të protezave e riparimit të tyre.
Pjesëmarrësit vizituan edhe mjediset e repartit të ortopedisë, ku u jepet ndihmë të gjymtuarve nga minat.
Minimi i verilindjes (kufiri Shqipëri – Kosovë) 121 kilometra i gjatë nisi në marsin e vitit ’99 dhe vazhdoi deri në fillim të muajit qershor të atij viti. Ndërsa, procesi i çminimit nisi menjëherë pas 12 qershorit të vitit ’99 kur përfundoi konflikti në Kosovë. Kështu deri tani ka përfunduar çminimi i mbi 15 milion metër katrore tokë të minuar në zonat më të thella malore të qarkut të Kukësit.
Por, pasojat deri në përfundim të procesit të çminimit kanë qenë të rënda. Kështu, pas 12 qershorit kanë humbur jetën duke rënë në zonat e minuara, 34 persona, mes tyre fëmijë e gra, ndërsa 238 të tjerë kanë mbetur të gjymtuar.
Tuesday, 31 May 2011 07:52