Lajme Shqip Saturday, 21 May 2011 17:16

Kukës – Rreth 100 fermerë nga 3 rrethet e qarkut të Kukësit dhe Prizrenit, nga Valbona e Geghyseni i largët, Shishtaveci e Grykë Caja, Vlahna e Fajzat, takohen e shkëmbejnë përvoja dhe kërkojnë më shumë ndihmën e specialistëve për rritjen e shpejtë të bizneseve të tyre aty, në qendrën e Kukësit ku kanë sjellë prodhimet e shumëllojshme.

Ky panair pranveror në sheshin kryesor të Kukësit, sot i ngjan një sofre të madhe dasme ku gjen çdo lloj produkti blegtoral e bujqësor të stinës. “Edhe më shumë do të bëhen në të ardhmen e afërt”, thotë drejtori rajonal i Bujqësisë, Arif Rexhmati.

Fermerët ftojnë kuksianët pranë stendave të panairit, një organizim tashmë është i përvitshëm si “porta” që nxit bashkëpunimin e shkëmbimin e përvojës, që nga viti në vit, sa vjen e rritet.

“Edhe pse këtë vit panairi është i hershëm, prodhimet janë vetëm pranverore dhe më pas nis dalja e tyre në treg”, thotë Fehmi Zeneli nga Surroji. “Kam 7 dynym tokë bujqësore dhe një dynym sera. Prodhimi është i mbarë si dhe fitimi”, thotë ai.

Problemi më i madh në punën e fermerëve tashmë është reklama e prodhimeve dhe gjetja e tregut, që për ta, është ndoshta më i vështiri, se ende nuk ka gjetur zgjidhje efikase.

“Panairi me prodhime agroushqimore është tregues i rritjes së interesit të fermerit për punimin e tokës dhe produkteve, që sjellin ndryshimin e jetës sonë”, thotë drejtori i zyrës së bujqësisë të rrethit të Tropojës Riza Doci.

 

FERMERËT E MIRË E BËJNË TOKËN E MIRË

 

Konsumatorët kuksianë lavdërojnë fermerët për çmimet. “Prodhimet jo vetëm që janë të një cilësie që rrallë e gjen në treg, por edhe me çmime më të ulta se përditë, ndaj gjithë banorët janë bërë vizitorë të panairit’, thotë Jelen Hoxha nga Shishtaveci.

Ai ka sjellë nënprodukte të qumështit, që brenda dy orëve i ka shitur, se ia njohin kuksianët prodhimet e tij, në treg. Jeleni që ka ngritur një linjë përpunimi të qumështit, thotë se ajo është me fitim për të, por edhe për fermerët e komunës.

“Jemi të gjithë të fituar dhe kështu duhet të jetë në çdo fushë të prodhimit”, tregon Jeleni, që në linjën e prodhimit ka të punësuar 4 vetë të familjes. “Jemi dhe të siguruar, siç e kërkon rregulli”, thotë, ndërsa shton se puna varet nga qumështi që grumbullohet, që sa vjen e rritet. “Tashmë prodhoj deri në 1000 kg djath, 500 kg gjizë dhe 200 kg. gjalpë”, thotë ai, tek tregon se tregun e Kukësit tani e konkuron dhe biznesi prizrenas. “Fermerët kosovarë po na konkurojnë, ndaj duhet shumë punë, duhet cilësi e prodhimit për të qenë në treg”, thotë Jeleni.

Dritan Zeqa, një djalë i ri nga Geghyseni i Tropojës ka sjellë djathra, gjizë të shumëllojshme, mjaltë gështenje. “Nuk kam për të shitur, vetëm provojini”, u drejtohet konsumatorëve Dritani, që ka një linjë përpunimi të qumështit. “Prodhimet i nxjerr në treg cdo ditë në orët e paradites në Bajram Curri”, thotë ai.

Fermerët e pranishëm në panair, ardhur nga Cinamaku, Oreshka, Zapodi, Bushati e Nanga, flasin me njeri-tjetrin për përkujdesjet ndaj tokës, ndërsa qytetarët dëgjojnë bisedat e rrallë herë dhe ndërhyjnë. Tregun e duan të gjithë cdo ditë, kjo ka rëndësi për të dy palët, shitësit e prodhimeve dhe blerësit e tyre.

 

NJË TREG DREJT RRITJE

 

Tregu dhe bashkëpunimi mes prodhuesve dhe konsumatorëve po vjen në rritje. Shkatërrimi i tregut dhe tokës bujqësore ka mbetur pas si një ëndërr e keqe, që rrallëkush e përmend. “Është një ëndërr që shyqyr ka mbaruar, pasi po i rikthehemi punimit të tokës, ajo na mban frymën gjallë e na sjell kënaqësi”, thotë Jeleni nga Shishtaveci.

Në këtë drejtim ka punuar dhe Agjencia e Zhvillimit Rural përmes dhënies së ndihmës financiare fermerëve, gjë që ka rritur ndjeshëm interesin e tyre zhvillimin e blegtorisë, pematarisë, ngritjes së fermave blegtorale, sistemin e ujitjes, bletari, etj.

Ka dhe që ankohen. “Nuk e dimë këtë projekt, që afron ndihmë financiare”, thotë Demush Zeqiri nga Valbona, që mbarështron 40 krerë dele. “Mund të rris numrin e krerëve nëse ndihmohem me kredi”, thotë ai.

Shumë fermerë ende nuk e njohin projektin “Në ndihmë të zhvillimit të zonave rurale”, që prej vitesh zbatohet në qarkun e Kukësit. Përfitues janë dhjetra të tjerë, që kanë arritur rezultate në blegtori e pemëtari, ndërsa po shtrihet së fundi edhe në bletari, ku paraqisin projekte zhvillimore me synim, përfitimin financiar.

Sot, këta fermerë me prodhimet e tyre i kanë dhënë tregut të Kukësit fytyrë të re, ndërsa blerësve gëzimin për cilësinë e prodhimeve. Nuk mungojnë sipërmarrës nga Prizreni, mes tyre dhe firma “Albi”. “Kemi marrëdhënie të mira me tregtarët dhe blerësit kuksianë, jemi aq pranë, sa të mos ftojmë njëri-tjetrin, do të ishte një cudi”, thotë Ermal Fusha, përfaqësues i saj.

Në panair marrin pjesë edhe bankat, që kreditojnë biznesin rural. “Secili për interesin e vet, po kur interesat bashkohen, përfitues janë të gjithë”, thotë Zeqir Selmani, një biznesmen kuksian.

Panairi i sotëm evidenton rikthimin e interesit të fermerit për tokën dhe jo vetëm të tyre, por dhe biznesmenëve. “Pa ndihmën e tyre nuk do t’i kishim këto rezultate”, thotë fermeri Gazmend Serjani nga Oreshka.

Vitet e fundit, ngritja e blloqeve të pemëtarisë dhe vreshtave, futja në përdorim e metodave bashkëkohore në procesin e ujitjes të të mbjellave kanë sjellë ndryshime cilësore në punë dhe kanë rritur interesin për ngritjen e linjave të përpunimit, ndonëse ende të ngadalta nga biznesmenët.

Është një optimizëm në rritje tek fermerët. Ndërsa kalon mesdita, sheshi vazhdon i mbushur plot, bashkë me bisedat për të ardhmen e afërt.