Lajme Shqip Monday, 30 May 2011 16:33

Kukës – Ambasadorja e Gjermanisë në Shqipëri, Carola Muller, ka vizituar sot qytetin e Kukësit. Ajo është shprehur për median se, “zgjedhjet e 8 majit të këtij viti ishin zgjedhjet më të drejta e të lira të realizuara gjatë 20 viteve të fundit në Shqipëri.

“Procesi ende mbetet i hapur, pasi ende nuk dihet fituesi i Tiranës. Ndërsa për pjesën tjetër të vendit, këto kanë qenë zgjedhjet më të mira të realizuara gjatë 20 viteve të fundit”, u shpreh Muller.

“Përsa i përket Tiranës, i përket Kolegjit Zgjedhor të vendosë. Kemi një shqetësim për vendimmarrjen”, u shpreh Muller.

Ambasadorja nuk mohoi mundësinë e dhënies së ndihmës për kapërcimin e situatës së krijuar në Tiranë. “Jemi të gatshëm që t’u ndihmojmë kur të na kërkohet”, theksoi ambasadorja. Sipas saj, problemet e krijuara duhet të zgjidhen nga organet ligjore. “Nuk është e arsyeshme përsëritja e zgjedhjeve”, theksoi ambasadorja.

Në lidhje me ankimimet e tjera pranë KQZ-së nga forcat politike, ambasadorja gjermane u shpreh se, “procesi është ende i hapur, ndaj nuk mund të jepet mendim për vendimet e marra”.